13. O ti që banon pranë ujërave të mëdha, të pasura në thesare, fundi yt erdhi, fundi i fitimeve të tua të padrejta.
14. Zoti i ushtrive i është betuar në veten e tij: "Unë do të të mbush me njerëz si miza që do të ngrenë kundër teje britma lufte".
15. Ai ka bërë tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e tij.
16. Kur nxjerr zërin e tij, ka një zhurmë ujërash në qiell; ai bën që të ngjiten avujt nga skajet e tokës, prodhon rrufetë për shiun dhe e nxjerr erën nga depozitat e tij.
17. Çdo njeri atëherë bëhet budalla, pa njohuri, çdo argjendar ka turp për shëmbëlltyrën e tij të gdhendur, sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është një gënjeshtër, dhe nuk ka frymë jetësore në to.
18. Janë kotësi, vepra mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre do të zhduken.
19. Trashëgimia e Jakobit nuk është si ata, sepse ai ka sajuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zoti i ushtrive.
20. "Ti je për mua një çekiç, një mjet lufte; me ty do të shtyp kombet, me ty do të shkatërroj mbretëritë;
21. me ty do të copëtoj kalë dhe kalorës, me ty do të copëtoj qerre dhe karrocier;
22. me ty do të copëtoj burrë dhe grua, me ty do të copëtoj plak dhe fëmijë, me ty do të copëtoj të riun dhe virgjëreshën;
23. me ty do të copëtoj bariun dhe kopenë e tij, me ty do të copëtoj katundarin dhe pendën e tij të qeve, me ty do të copëtoj qeveritarët dhe gjykatësit.
24. Por unë do t'i shpërblej Babiloninë dhe tërë banorët e Kaldesë për tërë të keqen që i kanë bërë Sionit para syve tuaj", thotë Zoti.