Jeremia 50:12-19 Bibla Shqip (ALBB)

12. Nëna juaj do të turpërohet me të madhe, ajo që ju ka lindur do të skuqet. Ja, ajo do të jetë kombi i fundit, një shkreti, një tokë shterpë, një vetmi.

13. Për shkak të zemërimit të Zotit nuk do të banohet më aty, do të jetë një shkreti e plotë; kushdo që do të kalojë pranë Babilonisë do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë për të gjitha plagët e saj.

14. Radhituni rreth Babilonisë, o ju të gjithë harkëtarët. Gjuani kundër saj, mos kurseni asnjë shigjetë, sepse ka mëkatuar kundër Zotit.

15. Lëshoni klithma lufte kundër saj rreth e përqark; ajo është dorëzuar, themelet e saj kanë rënë, muret e saj janë shembur, sepse kjo është hakmarrja e Zotit. Hakmerruni me të. Bëjini asaj atë që ajo u ka bërë të tjerëve.

16. Shfarosni nga Babilonia atë që mbjell dhe zë draprin në kohën e korrjes. Nga frika e shpatës së shtypësit secili do të kthehet te populli i tij, secili do të turret në vendin e tij.

17. Izraeli është një dele e humbur, të cilën e ndoqën luanët; i pari që e gllabëroi ishte mbreti i Asirisë, pastaj ky i fundit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, që ia ka thyer kockat".

18. Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do dënoj mbretin e Babilonisë dhe vendin e tij, ashtu si dënova mbretin e Asirisë.

19. Por do ta çoj përsëri Izraelin në kullotën e tij, do të kullotë në Karmel dhe në Bashan dhe shpirti i i tij do të ngopet në kodrinat e Efraimit dhe në Galaad.

Jeremia 50