9. Ngarkohuni, o kuaj, dhe përparoni me rrëmbim, o qerre, le të dalin përpara burrat trima, ata të Etiopisë dhe të Putit që mbajnë mburojën dhe ata të Ludit që përdorin dhe shtrijnë harkun.
10. Kjo ditë për Zotin, për Zotin e ushtrive, është ditë hakmarrjeje, për t'u hakmarrë me armiqtë e tij. Shpata do të shfarosë, do të ngopet dhe do të dehet me gjakun e tyre, sepse Zoti, Zoti i ushtrive, bën një flijim në vendin e veriut, pranë lumit Eufrat.
11. Ngjitu në Galaad dhe merr ca balsam, o e virgjër, o bijë e Egjiptit. Më kot ti përdor barëra të shumta, nuk ka shërim për ty.