Jeremia 44:11-22 Bibla Shqip (ALBB)

11. Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë e kthej fytyrën time kundër jush për të keqen tuaj dhe për të shkatërruar tërë Judën.

12. Do të marr pjesën që ka mbetur nga Juda që nguli këmbë të vinte në vendin e Egjiptit për të banuar atje; ata do të konsumohen të gjithë dhe do të bien në vendin e Egjiptit. Do të konsumohen nga shpata dhe nga uria, nga më i vogli deri tek më i madhi; do të vdesin nga shpata dhe nga uria dhe do të bëhen objekt nëme, habie, mallkimi dhe turpi.

13. Do të dënoj ata që banojnë në vendin e Egjiptit, ashtu si dënova Jeruzalemin me shpatën, me urinë dhe me murtajën.

14. Nuk do të shpëtojë as do të shmanget nga rreziku askush nga mbetje e Judës, që ka ardhur për të banuar në vendin e Egjiptit, për t'u kthyer pastaj në vendin e Judës, ku ata dëshirojnë fort të kthehen për të banuar, por ata nuk do të kthehen me përjashtim të disa të shpëtuarve".

15. Atëherë tërë burrat që dinin se bashkëshortet e tyre u digjnin temjan perëndive të tjera dhe tërë gratë e pranishme, një turmë e madhe, dhe tërë populli që banonte në vendin e Egjiptit, në Pathros, iu përgjigjën Jeremias, duke thënë:

16. "Sa për fjalën që na ke thënë në emër të Zotit, nuk do të të dëgjojmë,

17. por kemi ndërmend të bëjmë ato që kanë dalë nga goja jonë, duke i djegur temjan Mbretëreshës së qiellit dhe duke derdhur libacione siç kemi bërë ne dhe etërit tanë, mbretërit tanë dhe princat tanë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit, sepse atëherë kishim bukë me shumicë, ishim mirë dhe nuk shikonim asnjë fatkeqësi.

18. Por që kur nuk djegim më temjan për Mbretëreshën e qiellit nuk derdhim më libacione për të, na mungon çdo gjë dhe jemi konsumuar nga shpata dhe uria".

19. Gratë shtuan: "Kur djegim temjan për Mbretëreshën e qiellit dhe i derdhim libacione, vallë është pa pëlqimin e burrave që i përgatisim ëmbëlsira me fytyrën e saj dhe i derdhim libacione?".

20. Atëherë Jeremia i foli tërë popullit, burrave, grave dhe gjithë njerëzve që i ishin përgjigjur në atë mënyrë dhe tha:

21. "A nuk u kujtua vallë Zoti dhe nuk i erdhi ndër mend temjani që keni djegur në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit ju, etërit tuaj, mbretërit tuaj, princat tuaj dhe populli i vendit?

22. Zoti nuk mundi ta durojë më për shkak të ligësisë së veprimeve tuaja dhe të gjërave të neveritshme që keni kryer. Prandaj vendi juaj është shkretuar, është bërë një objekt habie, një mallkim dhe s'ka asnjë banor, siç është akoma sot.

Jeremia 44