Jeremia 43:1-10 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ndodhi që kur Jeremia mbaroi së njoftuari tërë popullit të gjitha fjalët e Zotit, Perëndisë të tyre, tërë fjalët që Zoti, Perëndia i tyre, u kishte dërguar atyre,

2. Azaria, bir i Hoshajahut dhe Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë njerëzit krenarë i thanë Jeremias: "Ti flet të pavërteta; Zoti, Perëndia ynë, nuk të ka dërguar të thuash: "Mos shkoni në Egjipt për të banuar atje",

3. por Baruku, bir i Neriahut, të nxit kundër nesh që të na japë në dorë të kaldeasve, që ne të vdesim ose të na çojnë në robëri në Babiloni".

4. Kështu Johanani, bir i Kareahut, tërë krerët e forcave dhe tërë populli nuk iu bindën urdhrit të Zotit që të qëndronin në vendin e Judës.

5. Por Johanani, bir i Kareahut, dhe të gjithë krerët e forcave morën tërë të mbeturit e Judës që ishin kthyer nga të gjitha kombet ku ishin shpërndarë, për të banuar në vendin e Judës:

6. burrat, gratë, fëmijët, vajzat e mbretit dhe të gjithë personat që Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte lënë bashkë me Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit, bashkë me profetin Jeremia dhe me Barukun, birin e Neriahut,

7. dhe shkuan në vendin e Egjiptit, sepse nuk iu bindën zërit të Zotit, dhe arritën deri në Tahpanhes.

8. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias në Tahpanhes, duke thënë:

9. "Merr në duart e tua gurë të mëdhenj dhe fshihi në argjilën e furrës së tullave që ndodhet në hyrje të shtëpisë së Faraonit në Tahpanhes, në sytë të njerëzve të Judës.

10. Pastaj do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të dërgoj të marr Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, dhe do të vendos fronin e tij mbi këta gurë që kam fshehur, dhe ai do të shtrijë shatorren e tij mbretërore mbi to.

Jeremia 43