Jeremia 37:10-21 Bibla Shqip (ALBB)

10. Edhe sikur të arrini ta mundni tërë ushtrinë e kaldeasve që luftojnë kundër jush dhe të mbeteshin vetëm disa të plagosur, këta do të ngriheshin secili në çadrën e vet dhe do t'i vinin flakën këtij qyteti".

11. Ndodhi që, kur ushtria e kaldeasve u largua nga Jeruzalemi për shkak të ushtrisë së Faraonit,

12. Jeremia doli nga Jeruzalemi për të shkuar në vendin e Beniaminit për të marrë pjesën e tij të trashëgimisë në mes të popullit.

13. Por, kur arriti te porta e Beniaminit, ku ishte një kapiten roje që quhej Irijah, biri i Shelemiahut, bir i Hananiahut, ky e arrestoi profetin Jeremia, duke thënë: "Ti je bërë me kaldeasit".

14. Jeremia u përgjigj "Nuk është e vërtetë, unë nuk po bëhem me kaldeasit", por ai nuk ia vuri veshin. Kështu Irijahu e arrestoi Jeremian dhe e çoi te princat.

15. Princat u zemëruan me Jeremian, e rrahën dhe e futën në burg në shtëpinë e shkruesit Jonathan të cilën e kishin kthyer në burg.

16. Kur Jeremia hyri në shtëpinë e burgut të nëndheshëm, në qeli, mbeti aty shumë ditë.

17. Pastaj mbreti Sedekia dërgoi ta marrin, e pyeti fshehurazi në shtëpinë e tij dhe i tha: "A ka ndonjë fjalë nga ana e Zotit?". Jeremia u përgjigj: "Po, ka". Dhe shtoi: "Ti do të jepesh në dorë të mbretit të Babilonisë".

18. Përveç kësaj Jeremia i tha mbretit Sedekia: "Çfarë faji kam kryer kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu ose kundër këtij populli, që më fute në burg?

19. Ku janë tani profetët tuaj që ju profetizonin duke thënë: "Mbreti i Babilonisë nuk do të vijë kundër jush as kundër këtij vendi"?

20. Tani dëgjo, të lutem, o mbret imzot, lutja ime të jetë e pëlqyer para teje dhe mos më kthe në shtëpinë e shkruesit Jonathan, që të mos vdes atje".

21. Atëherë mbreti Sedekia urdhëroi që Jeremia të ruhej në oborrin e burgut dhe t'i jepej çdo ditë një copë bukë nga rruga e furrtarëve, derisa të mbarohej gjithë buka e qytetit. Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut.

Jeremia 37