6. Atëherë Jeremia tha: "Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
7. Ja, Hanameeli, biri i Shalumit, ungjit tënd, po vjen te ti që të të thotë: "Bli arën time që ndodhet në Anathoth, sepse ti ke të drejtën ta shpengosh duke e blerë"".
8. Prandaj Hanameeli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në oborrin e burgut, sipas fjalës të Zotit, dhe më tha: "Të lutem, bli arën time që ndodhet në Anathoth, në territorin e Beniaminit, sepse ti ke të drejtën e trashëgimisë dhe të drejtën e shpengimit. Blije!". Atëherë e kuptova që kjo ishte fjala e Zotit.
9. Kështu, pra, bleva nga Hanameeli, nga biri i ungjit tim, arën që ndodhej në Anathoth dhe ia peshova paratë; shtatëmbëdhjetë sikla argjendi.
10. E nënshkrova aktin, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova paratë me peshore.