Jeremia 32:33-41 Bibla Shqip (ALBB)

33. Më kanë kthyer jo fytyrën, por kurrizin; dhe megjithëse i kam mësuar me urgjencë dhe me këmbëngulje, ata nuk më kanë dëgjuar për të marrë korrigjime.

34. Por kanë vënë gjërat e tyre të neveritshme në shtëpinë në të cilën përmendet emri im për ta ndotur.

35. Kanë ndërtuar gjithashtu vendet e larta të Baalit, që janë në luginën e bijve të Hinomit, në mënyrë që të kalojnë përmes zjarrit bijtë dhe bijat e tyre për nder të Molekut, gjë që unë nuk u kisha urdhëruar dhe nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se do të kryenin një gjë të tillë të neveritshme, duke e bërë Judën të mëkatojë".

36. Prandaj kështu thotë tani Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me këtë qytet, për të cilin ju thoni: "Ai do t'i jepet në dorë mbretit të Babilonisë, me anë të shpatës, të urisë dhe të murtajës".

37. "Ja, do t'i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim, tërbimit tim, indinjatës sime të madhe; do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt.

38. Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.

39. Do t'u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre.

40. Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t'u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.

41. Do të ndiej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t'i vendos në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim".

Jeremia 32