10. O kombe, dëgjoni fjalën e Zotit, shpalleni në ishujt e largët dhe thoni: Ai që e ka shpërndarë Izraelin e mbledh dhe e ruan ashtu si vepron bariu me kopenë e tij.
11. Sepse Zoti ka shpenguar Jakobin, e ka çliruar nga dora e një njeriu më të fortë se ai.
12. Ata do të vijnë dhe do të këndojnë me gëzim në lartësitë e Sionit, do të vërshojnë drejt të mirave të Zotit, drejt grurit, verës dhe vajit, dhe drejt atyre që kanë lindur në kope dhe në grigjë; jeta e tyre do të jetë si një kopsht i vaditur dhe nuk do të vuajnë më.
13. Atëherë virgjëresha do të gëzohet në valle dhe të rinjtë bashkë me pleqtë, sepse do ta shndërroj zinë e tyre në gëzim, do t'i ngushëlloj dhe do t'i gëzoj mbas dhembjes së tyre.
14. Do të ngop shpirtin e priftërinjve me të madhe dhe populli im do të mbushet me të mirat e mia", thotë Zoti.
15. Kështu thotë Zoti: "U dëgjua një zë në Ramah, një vajtim dhe një e qarë e hidhur: Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet për ta, sepse ata nuk janë më".
16. Kështu thotë Zoti: "Mbaje zërin tënd nga e qara, sytë e tu nga të derdhurit lot, sepse vepra jote do të shpërblehet", thotë Zoti; "ata do të kthehen nga vendi i armikut.
17. Ka shpresa për pasardhësit e tu", thotë Zoti; "bijtë e tu do të kthehen brenda kufijve të tyre.
18. Kam dëgjuar vazhdimisht Efraimin të ankohet: "Ti më ke dënuar dhe unë jam dënuar si një dem i ri i panënshtruar; më bëj të kthehem dhe unë do të kthehem, sepse ti je Zoti, Perëndia im.
19. Mbasi mora rrugë të keqe, u pendova; mbasi e pranova gjendjen time, kam rrahur ijën time. Më erdhi turp dhe ndjeva hutim, sepse mbaj turpin e rinisë sime".
20. A është, pra, Efraimi një bir i dashur për mua, një bir i kënaqësive të mia? Në fakt, megjithëse kam folur kundër tij, e kujtoj akoma fort. Prandaj të përbrendshmet e mia mallëngjehen për të dhe me siguri do të kem mëshirë për të", thotë Zoti.