Jeremia 3:8-19 Bibla Shqip (ALBB)

8. Dhe megjithëse unë kisha ndarë Izraelin rebel për shkak të të gjitha shkeljeve të tij dhe i kisha dhënë letrën e ndarjes, pashë që motra e vet e pabesë Juda nuk pati fare frikë, por shkoi edhe ajo të kurvërohet.

9. Kështu me zhurmën e kurvërimeve të veta e ndoti vendin dhe shkeli kurorën me gurin dhe me drurin.

10. Ndonëse ndodhën tërë këto, motra e vet e pabesë Juda nuk u kthye tek unë me gjithë zemrën e saj, por me simulime", thotë Zoti.

11. Pastaj Zoti më tha: "Izraeli rebel u tregua më i drejtë se e pabesa Judë.

12. Shko dhe shpalli këto fjalë në drejtim të veriut, duke thënë: "Kthehu, o Izrael rebel"", thotë Zoti, "nuk do ta hedh zemërimin tim mbi ju, sepse jam i mëshirshëm", thotë Zoti, "dhe nuk mbetem i zemëruar përgjithnjë.

13. Vetëm prano paudhësinë tënde, sepse je rebeluar kundër Zotit, Perëndisë tënd; ua ke shkapërderdhur favoret e tua të huajve poshtë çdo druri të gjelbëruar dhe nuk ke dëgjuar zërin tim", thotë Zoti.

14. "Kthehuni, o bij të përdalë", thotë Zoti, "sepse unë kam pushtet mbi ju. Do t'ju marr një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje dhe do t'ju çoj përsëri në Sion.

15. Do t'ju jap pastaj barinj sipas zemrës sime, që do t'ju kullosin me dije dhe dituri.

16. Dhe ka për të ndodhur që kur të shumoheni dhe do të jeni pjellorë në vend, në ato ditë", thotë Zoti, "nuk do të thuhet më: "Arka e besëlidhjes të Zotit". Nuk do t'ju shkojë më ndër mend, nuk do ta kujtojnë më, nuk do të shkojnë ta shikojnë më, nuk do të bëhet një tjetër.

17. Atëherë Jeruzalemi do të quhet "Froni i Zotit"; tërë kombet do të mblidhen pranë tij në emër të Zotit, në Jeruzalem, dhe nuk do të ecin më sipas kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe.

18. Në ato ditë shtëpia e Judës do të ecë me shtëpinë e Izraelit dhe së bashku do të vijnë nga vendi i veriut në vendin që u dhashë si trashëgimi etërve tuaj.

19. Unë thosha: "Me çfarë dëshire do të të vendosja midis bijve të mi dhe do të të jepja një vend të mrekullueshëm, një trashëgimi të shkëlqyer midis gjithë kombeve!". Thosha: "Ti do të më quash: Ati im!, dhe nuk do të largohesh më nga unë".

Jeremia 3