Jeremia 22:12-22 Bibla Shqip (ALBB)

12. por do të vdesë në vendin ku e kanë çuar në robëri dhe nuk ka për ta parë më këtë vend".

13. Mjerë ai që e ndërton shtëpinë e tij pa drejtësi dhe dhomat e saj të sipërme me paanësi, që e vë tjetrin të punojë për asgjë dhe nuk ia shpërblen punën e tij,

14. dhe thotë: "Do të ndërtoj një shtëpi të madhe me dhoma të sipërme të gjera", dhe hap në të dritare, e vesh me dru cedri dhe e lyen me të kuq.

15. "Mendon vallë se je mbret, sepse je i rrethuar nga cedra? Ati yt nuk hante dhe pinte? Por vepronte me ndershmëri e drejtësi dhe gjithçka i shkonte mbarë.

16. Ai mbronte çështjen e të varfrit dhe të nevojtarit dhe gjithçka i shkonte mbarë. A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?", thotë Zoti.

17. "Por sytë e tu dhe zemra jote nuk shikojnë veçse fitimin tënd të padrejtë, të derdhin gjak të pafajshëm dhe të kryejnë shtypje dhe dhunë".

18. Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, birin e Josias, mbreti i Judës: "Nuk do të mbajnë zi për të, duke thënë: "Vaj medet, vëllai im! Vaj medet, motër!". Nuk do të mbajnë zi për të duke thënë: "Vaj medet, zot! Vaj medet, madhëri e tij!".

19. Do të varroset ashtu si varroset një gomar, që e heqin dhe e hedhin larg portave të Jeruzalemit.

20. Ngjitu në Liban dhe bërtit, ngrije zërin në Bashan dhe bërtit nga Abarimi, sepse të gjithë dashnorët e tu janë shkatërruar.

21. Të fola në kohën e begatisë sate, por ti më the: "Nuk do të dëgjoj". Kjo ka qenë sjellja jote qysh në rininë tënde: nuk e dëgjove kurrë zërin tim.

22. Tërë barinjtë e tu do të gllabërohen nga era dhe dashnorët e tu do të shkojnë në robëri; atëherë do të jesh e turpëruar dhe e shushatur për gjithë ligësinë tënde.

Jeremia 22