Jeremia 20:6-18 Bibla Shqip (ALBB)

6. Dhe ti, Pashhur, dhe tërë ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të shkoni në robëri; do të shkosh në Babiloni, aty ke për të vdekur dhe aty ke për t'u varrosur, ti dhe tërë miqtë e tu të cilëve u ke profetizuar gënjeshtra".

7. Ti më ke bindur, o Zot, dhe unë e lashë veten të bindem; ti je më i fortë se unë dhe fitove. Jam bërë objekt talljesh çdo ditë; kushdo tallet me mua.

8. Sepse sa herë që flas, unë bërtas dhe shpall: "Dhunë dhe plaçkitje!". Po, fjala e Zotit është për mua një shkak turpi dhe talljeje çdo ditë.

9. Atëherë unë thashë: "Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij". Por fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha.

10. Dëgjoja shpifjet e shumë vetave: "Tmerr rreth e qark! Paditeni dhe do ta padisim!". Tërë ata me të cilët jetoja në paqe prisnin që unë të pengohesha dhe thoshin: "Ndofta do të bindet, kështu ne do të kemi epërsi mbi të dhe do të hakmerremi kundër tij".

11. Por Zoti është me mua si një hero i fuqishëm; prandaj ndjekësit e mi do të pengohen dhe nuk do të kenë epërsi; do të turpërohen me të madhe, sepse nuk do t'ia dalin mbanë; turpi i tyre do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të harrohet.

12. Por ti, o Zot i ushtrive, që provon të drejtin dhe heton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse ty të kam besuar çështjen time.

13. Këndojini Zotit, lëvdoni Zotin, sepse ka çliruar jetën e nevojtarit nga dora e keqbërësve.

14. Mallkuar qoftë dita në të cilën linda! Mos qoftë e bekuar dita në të cilën nëna ime më lindi!

15. Mallkuar qoftë njeriu që i shpuri lajmin atit tim, duke thënë: "Të ka lindur një bir mashkull", gjë që e mbushi me gëzim.

16. Qoftë ai njeri si qytetet që Zoti ka shkatërruar pa kurrfarë keqardhje. Dëgjoftë klithmën në mëngjes dhe zhurmat e luftës në mesditë,

17. sepse nuk më kanë bërë të vdes në bark të nënës; kështu nëna ime do të ishte varri im dhe barku i saj i ngarkuar përgjithnjë.

18. Pse kam dalë nga barku i nënës, për të parë vuajtje, dhembje dhe për t'i mbaruar ditët e mia me turp?

Jeremia 20