Jeremia 2:11-20 Bibla Shqip (ALBB)

11. A ka ndryshuar ndonjë komb perënditë e tij, edhe pse ato nuk janë perëndi? Por populli im e ka ndërruar lavdinë e tij për diçka që nuk vlen asgjë.

12. Habituni, o qiej, me këtë; lebetituni dhe dëshpërohuni shumë", thotë Zoti.

13. "Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.

14. Izraeli a është vallë një skllav, o një skllav i lindur në shtëpi? Pse pra, u bë një pre?

15. Luanët e vegjël vrumbullojnë kundër tij, bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre dhe e katandisin vendin e tij në një shkatërrim të plotë; qytetet e tij janë djegur dhe askush nuk banon më në to.

16. Madje dhe banorët e Nofit dhe të Tahpanhesit të hanë kurorën që ke mbi kokë.

17. Mos vallë ti u bëre shkak që të të bjerë kjo mbi krye, sepse ke braktisur Zotin, Perëndinë tënd, ndërsa të udhëhiqte nëpër rrugë?

18. Dhe tani pse ke marrë rrugën që të çon për në Egjipt, për të shkuar të pish ujërat e Shihorit? Ose pse ke marrë rrugën që të çon në Asiri, për të shkuar të pish ujërat e Lumit?

19. Vetë sjellja jote e keqe dhe shmangiet e tua do të të dënojnë. Prano, pra, dhe shiko sa e keqe dhe e hidhur për ty është të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd, dhe të mos kesh fare frikë nga unë", thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

20. "Sepse prej shumë kohe ke thyer zgjedhën tënde, ke prerë lidhjet e tua dhe ke thënë: "Nuk dua të shërbej më!". Por mbi çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të gjelbër ti je shtrirë si një prostitutë.

Jeremia 2