Jeremia 2:1-18 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala e Zotit m'u drejtua akoma për të thënë:

2. "Shko dhe bërtit në veshët e Jeruzalemit, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Unë të kujtoj ty, kujdesin e dhembshur të rinisë sate, dashurinë në kohën e fejesës sate, kur më ndiqje në shkretëtirë në një tokë të pa mbjellë.

3. Izraeli i ishte shenjtëruar Zotit, prodhimet e para të korrjes së tij; tërë ata që i hanin bëheshin fajtorë dhe fatkeqësia binte mbi ta", thotë Zoti.

4. Dëgjoni fjalën e Zotit, o shtëpi e Jakobit, dhe ju të gjitha familjet e shtëpisë së Izraelit.

5. Kështu thotë Zoti: "Çfarë kanë gjetur të padrejtë tek unë etërit tuaj për t'u larguar nga unë, për të shkuar pas kotësisë dhe për t'u bërë ata vetë kotësi?

6. As nuk kanë thënë: "Ku është Zoti që na nxori nga vendi i Egjiptit, që na udhëhoqi nëpër shkretëtirë, nëpër një vend të thatë dhe me gremina, në një vend të zhuritur dhe me hije të vdekjes, nëpër një vend ku asnjeri nuk kishte kaluar dhe ku asnjeri nuk kishte banuar?".

7. Unë ju kam çuar në një vend pjellor që të hanit frytet e tij dhe të mirat e tij; por kur keni hyrë keni ndotur vendin tim dhe e keni bërë trashëgiminë time një gjë të neveritshme.

8. Priftërinjtë nuk kanë thënë: "Ku është Zoti?", ata që merren me ligjin nuk më njohën, barinjtë ngritën krye kundër meje, profetët profetizuan për Baalin dhe shkuan pas gjërave që nuk vlejnë asgjë.

9. Prandaj do t'ju padis akoma në gjyq", thotë Zoti, "dhe do t'u bëj gjyq bijve të bijve tuaj.

10. Shkoni në ishujt e Kitimit dhe shikoni, dërgoni njerëz në Kedar dhe këqyrni mirë nëse ka ndodhur një gjë e tillë.

11. A ka ndryshuar ndonjë komb perënditë e tij, edhe pse ato nuk janë perëndi? Por populli im e ka ndërruar lavdinë e tij për diçka që nuk vlen asgjë.

12. Habituni, o qiej, me këtë; lebetituni dhe dëshpërohuni shumë", thotë Zoti.

13. "Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.

14. Izraeli a është vallë një skllav, o një skllav i lindur në shtëpi? Pse pra, u bë një pre?

15. Luanët e vegjël vrumbullojnë kundër tij, bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre dhe e katandisin vendin e tij në një shkatërrim të plotë; qytetet e tij janë djegur dhe askush nuk banon më në to.

16. Madje dhe banorët e Nofit dhe të Tahpanhesit të hanë kurorën që ke mbi kokë.

17. Mos vallë ti u bëre shkak që të të bjerë kjo mbi krye, sepse ke braktisur Zotin, Perëndinë tënd, ndërsa të udhëhiqte nëpër rrugë?

18. Dhe tani pse ke marrë rrugën që të çon për në Egjipt, për të shkuar të pish ujërat e Shihorit? Ose pse ke marrë rrugën që të çon në Asiri, për të shkuar të pish ujërat e Lumit?

Jeremia 2