6. Ti më ke përzënë", thotë Zoti, "më ke kthyer krahët. Prandaj unë do të shtrij dorën kundër teje dhe do të të shkatërroj; jam lodhur nga pendimet.
7. Do t'i shpërndaj me forcë portat e qytetit, do t'u heq fëmijët dhe do të bëj që të zhduket populli im, sepse ata nuk largohen nga udhët e tyre.
8. Do t'i bëjë gratë e veja të tij më të shumta se rëra e detit. Do të sjell kundër tyre, kundër nënës së të rinjve, një shkatërrues në mes të ditës; do të bëj që të bjerë mbi të papritmas ankthi dhe tmerri.
9. Ajo që ka pjellë shtatë bijë lëngon dhe heq frymën; dielli i saj po perëndon ndërsa është ditë akoma; është mbuluar nga turpi dhe e hutuar. Do t'i dorëzoj ata që do të shpëtojnë prej shpatës në mëshirë të armiqve të tyre", thotë Zoti.
10. Mjerë unë, o nëna ime sepse më ke lindur si një njeri grindjesh dhe sherri në të gjithë vendin. Nuk i kam dhënë hua asgjë askujt, as të tjerët më kanë dhënë hua; megjithatë të gjithë më mallkojnë.
11. Zoti thotë: "Me siguri do të të çliroj përgjithnjë, me siguri do të bëj që armiku të të lutet në kohën e fatkeqësisë dhe në kohën e ankthit.
12. A mundet një njeri të thyejë hekurin, hekurin e veriut dhe bronzin?
13. Pasurinë tënde dhe thesaret e tua do t'i braktis që t'i plaçkitin pa asnjë çmim për të gjitha mëkatet e tua dhe në të gjithë kufijtë e tu.
14. Dhe do të bëj të kalosh bashkë me armiqtë e tu në një vend që ti nuk e njeh, sepse një zjarr është ndezur në zemërimin tim, që do të flakërojë kundër jush".