11. Zoti thotë: "Me siguri do të të çliroj përgjithnjë, me siguri do të bëj që armiku të të lutet në kohën e fatkeqësisë dhe në kohën e ankthit.
12. A mundet një njeri të thyejë hekurin, hekurin e veriut dhe bronzin?
13. Pasurinë tënde dhe thesaret e tua do t'i braktis që t'i plaçkitin pa asnjë çmim për të gjitha mëkatet e tua dhe në të gjithë kufijtë e tu.
14. Dhe do të bëj të kalosh bashkë me armiqtë e tu në një vend që ti nuk e njeh, sepse një zjarr është ndezur në zemërimin tim, që do të flakërojë kundër jush".
15. Ti e di, o Zot; më mbaj mend mua dhe më vizito, dhe merrmë hak mbi përndjekësit e mi; në ngadalësinë e zemërimit tënd mos më merr me vete; dije që për hirin tënd e mbajta turpin.
16. Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe gazi i zemrës sime, sepse emri yt kërkohet nga unë o Zot, Perëndi i ushtrive.
17. Unë nuk u ula në kuvendin e tallësve, as nuk u gëzova; por për shkak të dorës sate unë u ula veçmas, sepse ti më kishe mbushur me indinjatë.
18. Pse dhembja ime është pa fund dhe plaga ime e pashërueshme nuk pranon të shërohet? A do të jesh për mua si një rrëke që shteron, si ujë që nuk të jep siguri?
19. Prandaj kështu thotë Zoti: "Në rast se ti rikthehesh tek unë, unë do të rivendos dhe ti do të jesh para meje. Në rast se ti ndan të çmuarën nga ajo që s'ka vlerë, ti do të jesh si goja ime; ata do të kthehen te ti, por ti nuk duhet të kthehesh tek ata.