Jeremia 13:12-24 Bibla Shqip (ALBB)

12. "Prandaj ti do t'u thuash atyre këtë fjalë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Çdo poç do të mbushet me verë". Në rast se më vonë do të të thonë: "A nuk e dimë vallë që çdo poç mbushet me verë?",

13. ti do t'u përgjigjesh atyre: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t'i deh tërë banorët e këtij vendi: mbretërit që ulen në fronin e Davidit, priftërinjtë, profetët dhe tërë banorët e Jeruzalemit.

14. Do t'i copëtoj njërin kundër tjetrit, etërit dhe bijtë së bashku"", thotë Zoti. "Nuk do të kem mëshirë, nuk do t'i fal, nuk do të kem asnjë dhembshuri që të më pengojë t'i shkatërroj".

15. Dëgjoni dhe vini veshin: Mos t'ju rritet mendja, sepse Zoti foli.

16. I jepni lavdi Zotit, Perëndisë tuaj, para se të sjellë terrin dhe para se këmbët tuaja të pengohen në malet e mbështjella në muzg, sepse ndërsa ju prisni dritën, ai e ndërron në hije të vdekjes dhe e ndryshon në errësirë të thellë.

17. Por në rast se nuk e dëgjoni këtë, shpirti im do të qajë në fshehtësi për shkak të kryelartësisë suaj, sytë e mi do të qajnë pareshtur dhe do të derdhin lot, sepse kopeja e Zotit do të çohet në robëri.

18. Thuaji mbretit dhe mbretëreshës nënë: "Uluni më poshtë, sepse sundimi juaj, kurora e lavdisë suaj, do të bjerë poshtë".

19. Qytetet e jugut janë të mbyllura dhe askush nuk do t'i hapë; tërë Juda është çuar në robëri, është çuar e tëra në robëri.

20. Ngrini sytë tuaj dhe shikoni ata që vijnë nga veriu; ku është kopeja që të ishte besuar, delet e tua të bukura?

21. Çfarë do të thuash kur të të ndëshkojë? Por ti vetë u ke mësuar atyre të jenë të parët dhe sunduesit e tu. A nuk do të të zënë dhembjet si një grua që është duke lindur?

22. Dhe në rast se do të thuash në zemrën tënde: "Përse më ndodhin këto gjëra?". Për shkak të përmasës së paudhësisë sate cepat e rrobës sate do të zbulohen dhe thembrat e tua do të duken lakuriq.

23. A mundet një etiopas të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?

24. "Prandaj do t'i shpërndaj si byku që e merr era e shkretëtirës.

Jeremia 13