Jeremia 10:10-25 Bibla Shqip (ALBB)

10. Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij.

11. Kështu do t'u thoni atyre: "Perënditë që nuk kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën qiellin".

12. Ai bëri tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e tij.

13. Kur nxjerr zërin e tij ka një zhurmë ujërash në qiell; ai i bën avujt të ngjiten nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun dhe nxjerr erën nga rezervuaret e tij.

14. Atëherë çdo njeri bëhet pa mend, pa dituri; çdo argjendari i vjen turp për shëmbëlltyrën e gdhendur të tij sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është e rreme dhe në të nuk ka frymë.

15. Janë kotësi, punë mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre kanë për të vdekur.

16. Pjesa e Jakobit nuk është si ata, sepse Ai ka formuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zot i ushtrive."

17. "Mblidh sendet e tua nga vendi, ti që je i rrethuar".

18. Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, këtë herë do t'i hedh larg banorët e vendit dhe do t'u sjell një fatkeqësi të madhe, me qëllim që të më gjejnë përsëri".

19. Mjerë unë për plagën time, plaga ime është e dhembshme. Por unë kam thënë: "Kjo është një sëmundje që unë duhet ta duroj".

20. Çadra ime është shkatërruar dhe të gjithë litarët e mi janë këputur; bijtë e mi kanë shkuar larg meje dhe nuk janë më; nuk ka më asnjë që të vendosë çadrën time apo të ngrejë shatorret e mia.

21. Sepse barinjtë kanë qenë pa mend dhe nuk kanë kërkuar Zotin; prandaj nuk kanë pasur mbarësi dhe tërë kopeja e tyre është shpërndarë.

22. Ja, po vjen një zhurmë lajmesh dhe një rrëmujë e madhe nga vendi i veriut, për t'i katandisur qytetet e Judës si shkretëtira, si strehim për çakejtë.

23. O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.

24. Më korrigjo, o Zot, por me drejtësi, jo në zemërimin tënd për të mos më reduktuar në asgjë.

25. Lëshoje zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi popujt që nuk përmendin emrin tënd, sepse kanë gllabëruar Jakobin; po, e kanë gllabëruar dhe konsumuar dhe kanë shkatërruar banesën e tij.

Jeremia 10