2. Atëherë mora me vete për të dëshmuar si dëshmitarë të besuar, priftin Uria dhe Zakarian, birin e Jaberekiahut.
3. U bashkova gjithashtu me profeteshën dhe kjo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë. Atëherë Zoti më tha: "Quaje Maher-Shalal-Hash-Baz;
4. sepse para se fëmija të dijë të thotë: "Ati im", o "Nëna ime", pasuritë e Damaskut dhe plaçka e Samarias do të çohen para mbretit të Asirisë".
5. Zoti më foli akoma dhe më tha:
6. "Me qenë se ky popull ka përçmuar ujërat e Siloeut që rrjedhin ëmbël dhe kënaqet për shkak të Retsinit dhe të birit të Remaliahut,
7. prandaj ja, Zoti do të bëjë që mbi ta të vërshojnë ujërat e Lumit, të fuqishme dhe të bollshme, domethënë mbreti i Asirisë dhe tërë lavdia e tij; do të ngrihet mbi të gjitha kanalet e tij dhe do të vërshojë nga të gjitha brigjet e tij.
8. Do të kalojë nëpërmes Judës, do të vërshojë dhe do të kalojë përtej derisa të arrijë te qafa dhe krahët e tij të shpalosur do të mbulojnë tërë hapësirën e vendit tënd, o Emanuel.
9. Bashkohuni, pra, madje me vrull, o popuj, por do të bëheni copë-copë, dëgjoni, o ju mbarë vende të largëta. Ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë; ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë.