9. "Do të çoj vallë në çastin e lindjes pa e bërë të pjellë?", thotë Zoti. "Unë që bëj të lindin a do ta mbyllja vallë barkun e nënës?", thotë Perëndia yt.
10. Gëzohuni me Jeruzalemin dhe ngazëlloni me të, ju të gjithë që e doni. Gëzohuni me të madhe me të, ju të gjithë që mbani zi për të,
11. me qëllim që të pini qumësht dhe të ngopeni në gjirin e përdëllimeve të tij, me qëllim që të pini me bollëk dhe të kënaqeni me mbushullimin e lavdisë së tij.
12. Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të bëj që paqja t'i arrijë si një lumë dhe pasuria e kombeve si një përrua që vërshon, dhe ju do të pini qumësht, do t'ju mbajnë në ijët e tij dhe do t'ju përkëdhelin mbi gjunjët e tij.
13. Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t'ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni në Jeruzalem.
14. Ju do ta shihni këtë, dhe zemra juaj do të gëzohet, kockat tuaja do të marrin përsëri fuqi si bari i njomë. Dora e Zotit do t'u bëhet e njohur shërbëtorëve të tij dhe do të zemërohet me të madhe kundër armiqve të tij.
15. Sepse ja, Zoti do të vijë me zjarrin dhe qerret e tij do të jenë si një uragan për të hedhur zemërimin e tij me tërbim dhe kërcënimin e tij me flakë zjarri.
16. Sepse Zoti do të ushtrojë drejtësinë me zjarrin dhe shpatën e tij kundër çdo mishi; dhe të vrarët nga Zoti do të jenë të shumtë.
17. "Ata që shenjtërohen dhe pastrohen për të vajtur në kopshtet, prapa një idhulli që gjendet në mes, ata që hanë mish derri, gjëra të neveritshme dhe minj, do të konsumohen të gjithë", thotë Zoti.
18. Unë i njoh veprat e tyre dhe mendimet e tyre; është duke ardhur koha në të cilën do të mbledh tërë kombet dhe tërë gjuhët; ato do të vijnë dhe do të shikojnë lavdinë time.
19. Unë do të vë në një shenjë në mes tyre dhe do të dërgoj disa nga ata që mbijetuan prej tyre te kombet; në Tarshish, në Pul dhe në Lud që përdorin harkun, në Tubal dhe në Javan, në ishujt e largët që nuk kanë dëgjuar famën time dhe nuk kanë parë lavdinë time; këta do të shpallin lavdinë time ndër kombet,
20. dhe do t'i kthejnë tërë vëllezërit tuaj nga të gjitha kombet si një ofertë Zotit, mbi kuaj, mbi qerre, mbi bartina, mbi mushka dhe mbi gamile të reja te mali im i shenjtë i Jeruzalemit", thotë Zoti, "ashtu si bijtë e Izraelit çojnë një ofertë në një enë të pastër në shtëpinë e Zotit.
21. Do të marrë gjithashtu disa prej tyre si priftërinj dhe si levitë", tha Zoti.
22. "Sepse ashtu si qiejt e rinj dhe toka e re që unë do të bëj do të jenë të qëndrueshëm para meje", thotë Zoti, "kështu do të jenë pasardhësit tuaj dhe emri juaj.
23. Dhe do të ndodhë që nga një hënë e re në tjetrën dhe nga një e shtunë në tjetrën çdo mish do të vijë të bjerë në gjunjë para meje, thotë Zoti.