Isaia 60:8-19 Bibla Shqip (ALBB)

8. Kush janë këta që fluturojnë si një re dhe si pëllumba në drejtim të foleve të tyre?

9. Po, ishujt do të kenë shpresa tek unë, me anijet e Tarshishit në radhë të parë, për të sjellë nga larg bijtë e tu me argjendin e tyre dhe arin e tyre, për emrin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit

10. Bijtë e të huajit do të rindërtojnë muret e tua dhe mbretërit e tyre do të vihen në shërbimin tënd, sepse në zemërimin tim të godita, por në dashamirësinë time kisha dhembshuri për ty.

11. Portat e tua do të jenë gjithnjë të hapura, nuk do të mbyllen as ditën as natën, që të mund të futin te ti pasurinë e kombeve me mbretërit e tyre në krye.

12. Sepse kombi dhe mbretëria që nuk do të të shërbejnë do të zhduken, dhe ato kombe do të shkatërrohen plotësisht.

13. Lavdia e Libanit do të vijë te ti, bashkë me selvinë, larshin dhe bredhin, për të zbukuruar vendin e shenjtërores sime, dhe unë do të bëj të lavdishëm vendin ku shkelin këmbët e mia.

14. Edhe bijtë e shtypësve të tu do të vijnë duke u përkulur para teje, dhe të gjithë ata që të kanë përçmuar do të bien përmbys në këmbët e tua dhe do të thërrasin: "qyteti i Zotit", "Sioni i të Shenjtit të Izraelit".

15. Në vend që ty të të braktisin dhe të të urrejnë, aq sa askush nuk kalonte më nga ti, unë do të të bëj një shkëlqim të përjetshëm, gëzimin e shumë brezave.

16. Ti do të thithësh qumështin e kombeve, do të thithësh gjinjtë e mbretërve dhe do të pranosh që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt dhe Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit.

17. Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjykatësin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.

18. Nuk do të dëgjohet të flitet më për dhunë në vendin tënd, as për shkatërrime dhe rrënoja brenda kufijve të tu; por do t'i quash muret e tua "Shpëtim" dhe portat e tua "Lavdërim".

19. Dielli nuk do të jetë më drita jote gjatë ditës, as hëna nuk do të të ndriçojë më me vezullimin e saj; por Zoti do të jetë drita jote e përjetshme dhe Perëndia yt lavdia jote.

Isaia 60