Isaia 45:11-21 Bibla Shqip (ALBB)

11. Kështu thotë Zoti, i Shenjti i Izraelit dhe ai që e ka formuar: "Për sa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhra rreth veprës së duarve të mia?

12. Por unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejt dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre.

13. Unë e ngjalla atë në drejtësinë time dhe do të sheshoj tërë rrugët e tij; ai do të rindërtojë qytetin tim dhe do t'i kthejë të lirë të mërguarit e mi pa paguar shpengim dhe pa bërë dhurata", thotë Zoti i ushtrive.

14. Kështu thotë Zoti: "Fryti i mundimeve të Egjiptit dhe mallrat e Etiopisë dhe të sabenjve, njerëz me shtat të lartë, do të të kalojnë ty dhe do të të përkasin ty; ata do të ecin pas teje, të lidhur me zinxhirë; do të bien përmbys para teje dhe do të të luten fort, duke thënë: "Me siguri Perëndia është te ti dhe nuk ka asnjë tjetër; nuk ka Perëndi tjetër"".

15. Në të vërtetë ti je një Perëndi që fshihesh, o Perëndi i Izraelit, o Shpëtimtar.

16. Do të mbeten të gjithë të turpëruar dhe të hutuar, po, do të ikin të gjithë bashkë, të mbuluar me turp, sajuesit e idhujve.

17. Por Izraeli do të shpëtohet nga Zoti me një shpëtim të përjetshëm; ju nuk do të turpëroheni ose të hutoheni kurrë më përjetë.

18. Sepse kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejt, ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej: "Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.

19. Unë nuk kam folur fshehtas në një cep të errët të dheut; nuk u kam thënë pasardhësve të Jakobit: "Më kërkoni kot". Unë, Zoti, them atë që është e drejtë dhe deklaroj gjërat që janë të vërteta.

20. Mblidhuni dhe ejani, afrohuni bashkë, ju që keni shpëtuar nga kombet! Nuk kanë mend ata që mbajnë një shëmbëlltyrë prej drurit të gdhendur prej tyre dhe i luten një perëndi që nuk mund të shpëtojë.

21. Shpalleni dhe paraqitni arsyetimet tuaja, po, le të këshillohen edhe bashkë. Kush e ka shpallur këtë që në kohët e lashta dhe e ka parashikuar prej një kohe të gjatë? Vallë, nuk jam unë, Zoti? Nuk ka Perëndi tjetër veç meje, një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar; nuk ka asnjë veç meje.

Isaia 45