Isaia 41:5-14 Bibla Shqip (ALBB)

5. Ishujt e shohin dhe i ka zënë frika, skajet e tokës dridhen; po afrohen, po arrijnë.

6. Secili ndihmon shokun e tij dhe i thotë vëllait të tij: "Kurajo".

7. Farkëtari i jep zemër argjendarit dhe ai që i jep dorën e fundit punës me çekiç i jep zemër atij që i bie kudhrës dhe thotë për saldaturën: "Mirë është" dhe e përforcon me gozhda që të mos lëvizë.

8. "Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakob që kam zgjedhur, pasardhës i Abrahamit, mikut tim,

9. ty që të mora nga skajet e tokës, që kam thirrur nga cepat më të largëta të saj dhe të kam thënë: "Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë".

10. Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.

11. Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken.

12. Ti do t'i kërkosh, por nuk do t'i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më.

13. Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: "Mos u frikëso, unë të ndihmoj".

14. "Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj", thotë Zoti; "Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.

Isaia 41