Isaia 38:1-8 Bibla Shqip (ALBB)

1. Në atë kohë Ezekia u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse. Profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: "Kështu flet Zoti. Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe jo për t'u shëruar".

2. Atëherë Ezekia e ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit:

3. "Të lutem shumë, o Zot, kujto si kam ecur para teje me besnikëri, me zemër të pastër, dhe kam bërë atë që është mirë në sytë e tu". Pastaj Ezekia qau me të madhe.

4. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaias, duke thënë:

5. "Shko dhe i thuaj Ezekias: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, ati yt: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tua; ja, do t'u shtoj pesëmbëdhjetë vjet ditëve të tua;

6. do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet.

7. Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit, Zoti do ta çojë në vend fjalën që ka thënë:

8. ja, unë do të bëj që të sprapset dhjetë shkallare hija që për efekt të diellit është zgjatur mbi shkallaret e Ashazit. Dhe dielli u spraps dhjetë shkallare prej shkallareve nga kishte zbritur".

Isaia 38