Isaia 37:7-15 Bibla Shqip (ALBB)

7. Ja, unë do të dërgoj përmbi të një frymë dhe, sa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e tij dhe në vendin e tij do ta rrëzoj me shpatë".

8. Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që po rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që mbreti ishte nisur nga Lakishi.

9. Atëherë mbreti i Asirisë dëgjoi të thuhet për Tirhakahun, mbretin e Etiopisë: "Ka dalë për të luftuar kundër teje". Sa dëgjoi këtë, ai i dërgoi lajmëtarët Ezekias, duke i thënë:

10. "Do t'i thoni kështu Ezekias, mbretit të Judës: Mos lër që Perëndia yt të cilit i beson të të mashtrojë duke të thënë: "Jeruzalemi nuk do jepet në duart e mbretit të Asirisë".

11. Ja, ti dëgjove ato që mbreti i Asirisë u ka bërë gjithë vendeve të tjera, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të mund të shpëtoje vetëm ti?

12. A kanë çliruar vallë mbretërit e kombeve ato që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?

13. Ku janë mbreti i Hamathit, mbreti i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".

14. Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj u ngjit në shtëpinë e Zotit dhe e shpalosi para Zotit.

15. Pastaj Ezekia iu lut Zotit, duke thënë:

Isaia 37