13. Ku janë mbreti i Hamathit, mbreti i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".
14. Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj u ngjit në shtëpinë e Zotit dhe e shpalosi para Zotit.
15. Pastaj Ezekia iu lut Zotit, duke thënë:
16. "O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit që ulesh midis kerubinëve, ti je Perëndia, ti vetëm, i të gjitha mbretërive të tokës; ti ke bërë qiejt dhe tokën.
17. Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko. Dëgjo tërë fjalët që Senakeribi ka dërguar të thotë për të fyer Perëndinë e gjallë.
18. Në të vërtetë, o Zot, mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar të gjitha kombet dhe vendet e tyre,
19. dhe kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse këto nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njeriut, dru e gur; për këtë arsye i kanë shkatërruar.
20. Por tani, o Zot, Perëndia ynë, na çliro nga duart e tij, me qëllim që të gjitha mbretëritë e tokës të njohin që ti vetëm je Zoti".
21. Atëherë Isaia, bir i Amotsit, i çoi fjalë Ezekias: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Me qenë se ti më je lutur për sa i përket Senakeribit, mbretit të Asirisë,
22. kjo është fjala që Zoti ka shqiptuar kundër tij: Virgjëresha, bijë e Sionit, të përçmon dhe tallet me ty; e bija e Jeruzalemit tund kokën prapa teje.
23. Cilin ke poshtëruar dhe fyer? Kundër kujt ke ngritur zërin dhe në mënyrë arrogante sytë e tu? Kundër të Shenjtit të Izraelit.
24. Me anë të shërbëtorëve të tu ke poshtëruar Zotin dhe ke thënë: "Me morinë e qerreve të mia u ngjita në majë të maleve, në skajet e Libanit. Do të rrëzoj cedrat e tij më të lartë dhe qiparisat e tij më të bukur; do të arrij lartësinë e tij më të largët, pyllin e tij më të harlisur.
25. Kam gërmuar dhe kam pirë ujë; me tabanin e këmbëve të mia kam tharë të gjitha lumenjtë e Egjiptit".
26. A nuk ke dëgjuar vallë se prej shumë kohe e kam përgatitur këtë gjë, planin e kam përgatitur qysh nga kohët e vjetra? Tani kam bërë që të ndodhë kjo: që ti t'i kthesh në një grumbull gërmadhash qytetet e fortifikuara.
27. Prandaj banorët e tyre, të cilët s'kanë forca, ishin të trembur dhe të hutuar; ishin si bari i fushave, si bari i vogël jeshil, si bari i çative, i cili digjet para se të rritet.
28. Por unë e njoh banesën tënde, hyrjen dhe daljen tënde, madje edhe zemërimin tënd të madh kundër meje.
29. Duke qenë se je zemëruar shumë kundër meje dhe paturpësia jote ka arritur te veshët e mi, do të vë unazën time në flegrat e hundëve, frerin tim në gojë dhe do të të kthej në rrugën nga ke ardhur.
30. Dhe kjo do të jetë shenja për ty; sivjet do të hani atë që rritet vetvetiu, vitin e dytë atë që rritet po nga ky burim; por vitin e tretë do të mbillni dhe do të korrni, do të mbillni vreshta dhe do të hani frytin e tyre.