Isaia 37:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Kur mbreti Ezekia dëgjoi këtë, grisi rrobat, u mbulua me një thes dhe hyri në shtëpinë e Zotit.

2. Pastaj dërgoi Eliakimin, prefektin e pallatit, Shebnaun, sekretarin, dhe priftërinjtë më të vjetër të mbuluar me thasë te profeti Isaia, bir i Amotsit,

3. të cilët i thanë: "Kështu thotë Ezekia: Kjo ditë është një ditë ankthi, ndëshkimi dhe turpi, sepse fëmijët janë duke lindur, por nuk ka forcë për t'i pjellë.

4. Ndofta Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar fjalët e Rabshakehut, që mbreti i Asirisë, zoti i tij, ka dërguar për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe do ta ndëshkojë për shkak të fjalëve që Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar. Larto, pra, një lutje për kusurin që mbetet akoma".

5. Kështu shërbëtorët e mbretit Ezekia shkuan te Isaia.

6. Dhe Isaia u tha atyre: "Këtë do t'i thoni zotit tuaj: Kështu thotë Zoti: Mos ki frikë për shkak të fjalëve që dëgjove, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë fyer.

7. Ja, unë do të dërgoj përmbi të një frymë dhe, sa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e tij dhe në vendin e tij do ta rrëzoj me shpatë".

8. Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që po rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që mbreti ishte nisur nga Lakishi.

9. Atëherë mbreti i Asirisë dëgjoi të thuhet për Tirhakahun, mbretin e Etiopisë: "Ka dalë për të luftuar kundër teje". Sa dëgjoi këtë, ai i dërgoi lajmëtarët Ezekias, duke i thënë:

10. "Do t'i thoni kështu Ezekias, mbretit të Judës: Mos lër që Perëndia yt të cilit i beson të të mashtrojë duke të thënë: "Jeruzalemi nuk do jepet në duart e mbretit të Asirisë".

11. Ja, ti dëgjove ato që mbreti i Asirisë u ka bërë gjithë vendeve të tjera, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të mund të shpëtoje vetëm ti?

12. A kanë çliruar vallë mbretërit e kombeve ato që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?

13. Ku janë mbreti i Hamathit, mbreti i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".

Isaia 37