Isaia 30:5-21 Bibla Shqip (ALBB)

5. Por do të turpërohen të gjithë nga një popull që nuk do t'u hyjë fare në punë, që nuk do t'iu japë asnjë ndihmë o përfitim, por vetëm turp dhe poshtërim.

6. Një profeci kundër kafshëve të Negevit: nëpërmjet një vendi të mjeruar dhe plot ankthe, prej të cilit vijnë luanesha dhe luani, nepërka dhe gjarpri i zjarrtë që fluturon, ata mbartin pasuritë e tyre mbi kurrizin e gomarëve dhe thesaret e tyre mbi kurrizin e deveve një populli prej të cilit nuk kanë për të përfituar asgjë.

7. Sepse ndihma e Egjiptit është e kotë dhe e padobishme, prandaj unë e quaj: "Rahab-Hem-Shebeth".

8. Tani eja, shkruaje këtë mbi një rrasë të vogël dhe shkruaje në një libër, që të mbetet për ditët e ardhshme, përgjithnjë, përjetë.

9. Sepse ky është një popull rebel, janë bij gënjeshtarë, bij që nuk duan të dëgjojnë ligjin e Zotit,

10. që u thonë shikuesve: "Mos kini vegime", dhe profetëve: "Mos na profetizoni gjëra të vërteta, na tregoni gjëra të këndshme, na profetizoni gjëra mashtruese.

11. Dilni jashtë rruge, braktisni shtegun e drejtë, largoni nga sytë tona të Shenjtin e Izraelit!"".

12. Prandaj kështu thotë i Shenjti i Izraelit: "Me qenë se ju e përçmoni këtë fjalë dhe keni besim te shtypja dhe te ligësia, dhe mbështeteni mbi to,

13. kjo paudhësi do të jetë për ju si e çarë që rrezikon të rrëzohet, një dalje te një mur i lartë, rrëzimi i të cilit ndodh papritmas, në një çast,

14. dhe thyhet si një enë prej balte të pjekur, që dikush copëton pa mëshirë duke mos mundur të gjejë në copat e tij qoftë edhe një copë për të marrë zjarr në vatër ose për të marrë ujë nga sterna".

15. Sepse kështu thotë Zoti, Zoti, i Shenjti i Izraelit: "Duke u kthyer tek unë dhe duke pushuar tek unë, do të shpëtoni; forca juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj. Por ju nuk keni dashur,

16. madje keni thënë: "Jo, ne do të ikim me kuajt tanë!". Prandaj ju do të ikni. Dhe: "Do të shkojmë me kuaj të shpejtë!". Prandaj ata që do t'ju ndjekin do të jenë edhe më të shpejtë.

17. Një mijë prej jush do të ikin nën kërcënimin e një të vetmi; nën kërcënimin e pesë vetave do të ikni me vrap, derisa të rrini si një hu mbi majën e një mali, si një flamur mbi një kodër".

18. Prandaj Zoti do të presë për t'ju dhënë hir, pastaj ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju, sepse Zoti është një Perëndi i drejtësisë. Lum të gjithë ata që kanë shpresë tek ai!

19. O popull i Sionit që banon në Jeruzalem, ti nuk do të qash më. Ai do të të bëj nder me siguri; duke dëgjuar zërin e britmës sate; sapo të të dëgjojë, do të përgjigjet.

20. Edhe sikur Zoti t'ju japë bukën e ankthit dhe ujin e shtypjes, megjithatë ata që të mësojnë nuk do të duhet të fshihen, dhe sytë e ty do të shohin mësuesit e tu.

21. Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: "Kjo është rruga, ecni në të!".

Isaia 30