Isaia 26:3-16 Bibla Shqip (ALBB)

3. Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.

4. Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.

5. Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur;

6. këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfrit dhe hapat e mjeranëve.

7. Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit.

8. Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.

9. Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë.

10. Në rast se falet i pabesi, ai nuk do ta mësojë drejtësinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur në vendin e ndershmërisë dhe nuk do të mund të shikojë madhështinë e Zotit.

11. O Zot, dora jote është ngritur, por ata nuk e shohin. Por ata do ta shohin zellin tënd për popullin tënd dhe do të mbeten të hutuar; po, zjarri i armiqve të tu do t'i përpijë.

12. O Zot, ti do të vendosësh paqen për ne, sepse ti kryen për ne çdo vepër tonën.

13. O Zot, Perëndia ynë, zotër të tjerë, veç teje, na kanë sunduar; por vetëm për ty të mbajmë mend emrin.

14. Të vdekurit nuk do të rijetojnë më, ata që shkuan nuk do të vijnë më; prandaj ti i ke ndëshkuar, ke shkatërruar dhe ke zhdukur çdo kujtim të tyre.

15. Ti e ke rritur kombin, o Zot, e ke rritur kombin, je përlëvduar; i ke zgjeruar tërë kufijtë e vendit.

16. O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste.

Isaia 26