Hebrenjve 11:31-40 Bibla Shqip (ALBB)

31. Me anë të besimit Rahabi, një prostitutë, nuk humbi bashkë me ata që nuk besuan, sepse kishte pritur paqësisht zbuluesit.

32. Dhe ç'të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Gedeonin, Barakun, Sansonin, Jefteun, Davidin, Samuelin dhe për profetët,

33. të cilët, me anë të besimit nënshtruan mbretëri, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,

34. fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.

35. Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë.

36. Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime.

37. U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhensh e dhish, nevojtarë, të pikëlluar, të keqtrajtuar

38. (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut.

39. E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar,

40. sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.

Hebrenjve 11