5. Sepse cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: ''Ti je Biri im, sot më je lindur''? Edhe përsëri: ''Unë do t'i jem Atë, dhe ai do të më jetë Bir''?
6. Dhe akoma, kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: ''Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë''.
7. Kurse për engjëjt thotë: ''Engjëjt e vet ai i bën erëra, dhe shërbenjësit e tij flakë zjarri'';
8. ndërsa për të Birin thotë: ''Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie.
9. E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të vajosi me vaj gëzimi përmbi shokët e tu''.
10. Edhe: ''Ti, o Zot, në krye themelove tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tu.
11. Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë do të vjetrohen si rrobë,
12. dhe ti do t'i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, dhe vitet e tua nuk do të shteren kurrë''.
13. Dhe cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: ''Rri në të djathtën time, gjersa t'i vë armiqtë e tu shtroje të këmbëve të tua''?
14. A nuk janë ata të gjithë frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?