22. Atëherë burrat e Izraelit i thanë Gedeonit: "Mbretëro mbi ne ti, biri yt dhe i biri i birit tënd, sepse na ke çliruar nga sundimi i Midianit".
23. Por Gedeoni u përgjigj: "Unë nuk do të mbretëroj mbi ju, as edhe biri im!".
24. Pastaj Gedeoni u tha: "Por dua t'ju kërkoj diçka: secili prej jush të më japë vathët e plaçkës së tij". Ata kishin vathët prej ari sepse ishin ismaelitë.
25. Ata u përgjigjën: "Ne i japim me gjithë qejf". Kështu ata shtrinë një mantel dhe secili hodhi vathët e plaçkës së tij.
26. Pesha e vathëve prej ari që ai kishte kërkuar ishte njëmijë e shtatëqind sikla ari, përveç gjysmëhënëzave, varëseve dhe rrobave të purpurta që vishnin mbretërit e Midianit, përveç qaforeve që devetë e tyre mbanin në qafë.
27. Pastaj Gedeoni me to bëri një efod, dhe e vendosi në Ofrah, në qytetin e tij; tërë Izraeli shkoi atje dhe u kurvërua me të dhe kështu u shndërrua në një lak për Gedeonin dhe shtëpinë e tij.
28. Kështu Midiani u poshtërua përpara bijve të Izraelit dhe nuk ngriti më kokë; dhe vendi pati paqe dyzet vjet me radhë, gjatë gjithë jetës së Gedeonit.
29. Pastaj Jerubaali, bir i Joashit, u kthye të banojë në shtëpinë e tij.
30. Gedeoni pati shtatëdhjetë fëmijë që dolën nga ijët e tij, sepse pati shumë gra.