1. Burrat e Efraimit i thanë Gedeonit: "Pse je sjellë në këtë mënyrë me ne, duke mos na thirrur kur shkove të luftosh kundër Midianit?". Dhe patën një grindje të ashpër me të.
2. Ai iu përgjigj atyre: "Por çfarë kam bërë unë kundër jush? Qëmtimi i Efraimit nuk vlen vallë më tepër se sjellja e Abiezerit?
3. Perëndia ju dha në dorë princat e Midianit, Orebin dhe Zeebin; çfarë mund të bëja për ju?". Kur tha këto fjalë, zemërimi i tyre kundër tij u fashit.
4. Gedeoni arriti pastaj në Jordan dhe e kaloi atë me të treqind burrat që ishin me të; megjithëse të lodhur ata vazhdonin ta ndiqnin armikun.
5. Atyre të Sukothit u tha: "Ju lutem, u jepni bukë njerëzve që më vijnë pas, sepse janë të lodhur, dhe unë jam duke ndjekur Zebahun dhe Tsalmunain, mbretër të Midianit".
6. Por krerët e Sukothit u përgjigjën: "Mos vallë Zebahu dhe Tsalmunai janë në dorën tënde, që ne të duhet t'i japim bukë ushtrisë tënde?".
7. Atëherë Gedeoni tha: "Për këtë, kur Zoti të më japë në dorë Zebahun dhe Tsalmunain, do të copëtoj trupin tuaj me gjembat dhe me ferrat e shkretëtirës.
8. Që andej shkoi në Penuel dhe u foli në të njëjtën mënyrë banorëve të tij; burrat e Penuelit iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë si ata të Sukothit.