17. Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua.
18. Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti".
19. Atëherë Gedeoni hyri në shtëpi dhe përgatiti një kec dhe kuleç pa maja me një efa miell; e vuri mishin në një shportë dhe lëngun në një kusi, ia çoi atij nën lisin dhe ia ofroi.
20. Engjëlli i Zotit i tha: "Merre mishin dhe kuleçtë pa maja, vendosi mbi këtë shkëmb dhe derdh mbi to lëngun e mishit". Dhe ai veproi kështu.
21. Atëherë Engjëlli i Zotit shtriu majën e bastunit që kishte në dorë dhe preku mishin dhe kuleçtë pa maja; e nga shkëmbi u ngrit një flakë që dogji mishin dhe kuleçtë pa maja; pastaj Engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e tij.
22. Kështu Gedeoni e kuptoi se kishte të bënte me Engjëllin e Zotit dhe tha: "Vaj medet, o Zot, o Zot! Sepse e pashë Engjëllin e Zotit sy në sy!".
23. Zoti i tha: "Paqja qoftë me ty, mos ki frikë, s'ke për të vdekur!".
24. Atëherë Gedeoni ndërtoi një altar për Zotin dhe e quajti "Jehovah Shalom". Ai gjendet edhe sot në Ofrahun e abiezeritëve.
25. Po atë natë Zoti i tha: "Merr demin e atit tënd dhe demin e dytë shtatëvjeçar, shemb altarin e Baalit që i përket atit tënd, dhe rrëzo Asherahun që i qëndron afër;
26. pastaj ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd, në majë të këtij shkëmbi sipas rregullit të caktuar; pastaj merr demin e dytë dhe ofroje si holokaust mbi lëndën e drurit të Asherahut që do të kesh rrëzuar".