Gjyqtarët 6:13-24 Bibla Shqip (ALBB)

13. Gedeoni iu përgjigj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Midianit".

14. Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Midianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?".

15. Ai iu përgjigj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim".

16. Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t'i mundur midianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm".

17. Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua.

18. Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti".

19. Atëherë Gedeoni hyri në shtëpi dhe përgatiti një kec dhe kuleç pa maja me një efa miell; e vuri mishin në një shportë dhe lëngun në një kusi, ia çoi atij nën lisin dhe ia ofroi.

20. Engjëlli i Zotit i tha: "Merre mishin dhe kuleçtë pa maja, vendosi mbi këtë shkëmb dhe derdh mbi to lëngun e mishit". Dhe ai veproi kështu.

21. Atëherë Engjëlli i Zotit shtriu majën e bastunit që kishte në dorë dhe preku mishin dhe kuleçtë pa maja; e nga shkëmbi u ngrit një flakë që dogji mishin dhe kuleçtë pa maja; pastaj Engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e tij.

22. Kështu Gedeoni e kuptoi se kishte të bënte me Engjëllin e Zotit dhe tha: "Vaj medet, o Zot, o Zot! Sepse e pashë Engjëllin e Zotit sy në sy!".

23. Zoti i tha: "Paqja qoftë me ty, mos ki frikë, s'ke për të vdekur!".

24. Atëherë Gedeoni ndërtoi një altar për Zotin dhe e quajti "Jehovah Shalom". Ai gjendet edhe sot në Ofrahun e abiezeritëve.

Gjyqtarët 6