7. Kështu bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe i shërbyen Baalit dhe Asherothit.
8. Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai i dorëzoi në duart e Kushan-Rishathaimit për tetë vjet me radhë.
9. Pastaj bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha një çlirimtar, Othnielin, birin e Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit; dhe ky i çliroi.
10. Fryma e Zotit ishte mbi të, dhe ai ishte gjyqtar i Izraelit; doli për të luftuar dhe Zoti i dha në dorë Kushan-Rishathaimin, mbretin e Mesopotamisë, dhe dora e tij qe e fuqishme kundër Kushan-Rishathaimit.
11. Vendi pati paqe për dyzet vjet me radhë; pastaj Othnieli, bir i Kenazit, vdiq.
12. Por bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe në sytë e Zotit; atëherë Zoti e bëri të fortë Eglonin, mbretin e Moabit, kundër Izraelit, sepse ata kishin bërë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit.
13. Egloni mblodhi rreth vetes bijtë e Amonit dhe të Amalekut, dhe u nis e mundi Izraelin; dhe pushtoi qytetin e palmave.
14. Kështu bijtë e Izraelit u bënë shërbëtorë të Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet.
15. Por bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha atyre një çlirimtar, Ehudin, birin e Gerit, beniaminitin, që ishte mëngjarash. Bijtë e Izraelit i dërguan nëpërmjet tij haraçin e tyre Eglonit, mbretit të Moabit.
16. Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, të gjatë një kubitë; e ngjeshi në brez poshtë veshjes, në krahun e djathtë.
17. Pastaj i çoi haraçin Eglonit, mbretit të Moabit, që ishte një njeri shumë i trashë.
18. Kur mbaroi paraqitja e haraçit, ai ktheu në shtëpi njerëzit që kishin sjellë haraçin.
19. Por ai vetë, nga vendi i idhujve pranë Gilgalit, u kthye prapa dhe tha: "O mbret, kam diçka që dua të të them fshehurazi". Mbreti i tha: "Heshtni!". Dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë.
20. Atëherë Ehudi iu afrua mbretit (që ishte ulur vetëm në fresk, në sallën lart). Ehudi i tha: "Kam një fjalë për të të thënë nga ana e Zotit". Kështu mbreti u ngrit nga froni i tij;
21. atëherë Ehudi zgjati dorën e majtë, nxori shpatën nga krahu i djathtë dhe ia futi në bark.