Gjyqtarët 3:1-10 Bibla Shqip (ALBB)

1. Këto janë kombet që Zoti la me qëllim që me anë të tyre të vinte në provë Izraelin, domethënë tërë ata që nuk kishin njohur luftërat e Kanaanit:

2. (kjo kishte si qëllim të vetëm t'ua bënte të njohur dhe t'u mësonte bijve të Izraelit luftën, të paktën atyre që nuk e kishin njohur më parë)

3. pesë princat e filistenjve, tërë kanaanenjtë, sidonitët dhe hivenjtë që banonin në malin e Libanit, nga mali i Baal-Hermonit deri në hyrje të Hamathit.

4. Këto kombe u lanë për të vënë në provë Izraelin, për të parë në se ata do t'u bindeshin urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë etërve të tyre me anë të Moisiut.

5. Kështu bijtë e Izraelit banuan në mes të kanaanenjve, të hitenjve, të amorenjve, të perezenjve, të hivenjve dhe të jebusenjve;

6. u martuan me bijat e tyre dhe u dhanë bijat e veta për gra bijve të tyre, dhe u shërbyen perëndive të tyre.

7. Kështu bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe i shërbyen Baalit dhe Asherothit.

8. Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai i dorëzoi në duart e Kushan-Rishathaimit për tetë vjet me radhë.

9. Pastaj bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha një çlirimtar, Othnielin, birin e Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit; dhe ky i çliroi.

10. Fryma e Zotit ishte mbi të, dhe ai ishte gjyqtar i Izraelit; doli për të luftuar dhe Zoti i dha në dorë Kushan-Rishathaimin, mbretin e Mesopotamisë, dhe dora e tij qe e fuqishme kundër Kushan-Rishathaimit.

Gjyqtarët 3