1. Por njerëzit e Izraelit ishin betuar në Mitspah, duke thënë: "Asnjë nga ne nuk do t'ia japë bijën e tij për grua një beniaminiti".
2. Pastaj populli erdhi në Bethel, ku qëndroi deri në mbrëmje përpara Perëndisë; dhe ngriti zërin dhe qau me të madhe,
3. duke thënë: "O Zot, Perëndi i Izraelit, pse ndodhi kjo në Izrael, që sot të mungojë një fis në Izrael?".
4. Të nesërmen populli u ngrit herët në mëngjes, ndërtoi në atë vend një altar dhe ofroi holokauste dhe flijime falënderimi.
5. Pastaj bijtë e Izraelit thanë: "Cili nga fiset e Izraelit nuk ka dalë në asamble para Zotit?". Sepse kishin bërë një betim solemn kundër kujtdo që nuk kishte dalë përpara Zotit në Mitspah, duke thënë: "Ai njeri do të vritet".
6. Bijtë e Izraelit ishin të hidhëruar për Beniaminin, vëllanë e tyre, dhe thoshin: "Sot u zhduk një fis i Izraelit.
7. Si do të bëjmë t'u gjejmë gra atyre që shpëtuan, sepse jemi betuar në emër të Zotit të mos u japim atyre për grua asnjë prej vajzave tona?".
8. Pastaj thanë: "Cili është midis fiseve të Izraelit ai që nuk ka dalë para Zotit në Mitspah?". Dhe ja që asnjeri nga Jabesi i Galaadit nuk kishte ardhur në kamp për asamblenë;
9. në fakt u kalua në revistë populli, u vu re që në gjirin e tij nuk kishte asnjë nga banorët e Jabesit të Galaadit.
10. Atëherë asambleja dërgoi atje dymbëdhjetë mijë burra nga më trimat dhe u dha këtë urdhër, duke thënë: "Shkoni dhe vrisni me shpatë banorët e Jabesit të Galaadit, duke përfshirë gratë dhe fëmijët.