Gjyqtarët 20:7-24 Bibla Shqip (ALBB)

7. Dhe ja, tani tërë ju, o bij të Izraelit, jepni mendimin dhe këshillën tuaj".

8. Atëherë tërë populli u ngrit si një njeri i vetëm, duke thënë: "Asnjë prej nesh nuk do të kthehet në çadrën e tij, asnjë prej nesh nuk do të kthehet në shtëpinë e tij.

9. Dhe tani, ja se ç'do t'i bëjmë Gibeahut: do të shkojmë kundër tij duke hedhur me short,

10. dhe do të marrim nga të gjitha fiset e Izraelit dhjetë njerëz mbi njëqind, njëqind mbi një mijë dhe një mijë mbi dhjetë mijë, të cilët do të shkojnë të kërkojnë ushqime për popullin, me qëllim që duke shkuar kundër Gibeahut të Beniaminit të mund t'ia lajmë të gjitha poshtërsitë që ka kryer në Izrael".

11. Kështu tërë burrat e Izraelit u mblodhën kundër atij qyteti, të bashkuar si një njeri i vetëm.

12. Fiset e Izraelit dërguan pastaj njerëz në gjithë fisin e Beniaminit për t'i thënë: "Ç'është ky krim që është kryer ndër ju?

13. Prandaj na dorëzoni ata njerëz, ata kriminelë që janë në Gibeah, që t'i vrasim dhe të heqim të keqen nga Izraeli". Por bijtë e Beniaminit nuk pranuan të dëgjojnë zërin e vëllezërve të tyre, të bijve të Izraelit.

14. Bijtë e Beniaminit madje u mblodhën nga qytetet e tyre në Gibeah për të luftuar kundër bijve të Izraelit.

15. Atë ditë bijtë e Beniaminit të thirrur nga qytetet e tyre për t'u mbledhur ishin njëzet e gjashtë mijë burra të aftë për të përdorur shpatën, pa llogaritur banorët e Gibeahut, që arrinin në shtatëqind burra të zgjedhur.

16. Midis tërë këtyre njerëzve kishte shtatëqind burra të zgjedhur, që ishin mëngjarashë. Tërë këta ishin të aftë të hidhnin një gur me hobe kundër një fije floku, pa gabuar goditjen.

17. Njerëzit e Izraelit të thirrur për t'u mbledhur, pa përfshirë ata të Beniaminit, ishin katërqind mijë burra të aftë për të përdorur shpatën, të gjithë luftëtarë.

18. Kështu bijtë e Izraelit lëvizën, u ngjitën në Bethel dhe konsultuan Perëndinë, duke thënë: "Kush prej nesh do të nisë i pari luftën kundër bijve të Beniaminit?". Zoti u përgjigj: "Juda do të fillojë i pari".

19. Të nesërmen në mëngjes bijtë e Izraelit u nisën dhe e ngritën kampin e tyre kundër Gibeahut.

20. Njerëzit e Izraelit dolën kështu për të luftuar kundër Beniaminit dhe u rreshtuan për betejë kundër luftëtarëve të tij pranë Gibeahut.

21. Atëherë bijtë e Beniaminit dolën nga Gibeahu dhe po atë ditë shtrinë të vdekur për tokë njëzet e dy mijë burra të Izraelit.

22. Por populli, burrat e Izraelit, morën zemër përsëri dhe u rreshtuan përsëri për betejë në po atë vend ku ishin rreshtuar ditën e parë.

23. Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe qanë përpara Zotit deri në mbrëmje, dhe u konsultuan me Zotin, duke thënë: "A duhet ta vazhdoj luftën kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim?". Zoti iu përgjigj: "Suluni kundër tyre".

24. Bijtë e Izraelit u ndeshën për herë të dytë me bijtë e Beniaminit.

Gjyqtarët 20