Gjyqtarët 20:30-42 Bibla Shqip (ALBB)

30. Bijtë e Izraelit u vërsulën për të tretën herë kundër bijve të Beniaminit, dhe u rreshtuan për betejë në afërsi të Gibeahut si herët e tjera.

31. Bijtë e Beniaminit dolën kundër popullit dhe armiqtë e tyre i tërhoqën larg qytetit; dhe filluan të godasin dhe të vrasin, si herët e tjera, disa nga populli i Izraelit nëpër rrugët (nga të cilat njëra shkon në Bethel dhe tjetra në Gibeah), dhe në fshatrat; ata vranë rreth tridhjetë veta.

32. Kështu bijtë e Beniaminit thanë: "Ja ku janë, të mundur para syve tona si herën e parë!". Por bijtë e Izraelit thanë: "Të ikim dhe t'i tërheqim larg qytetit, mbi rrugët kryesore!".

33. Atëherë tërë njerëzit e Izraelit lëvizën nga pozicionet e tyre dhe u rreshtuan për betejë në Baal-Thamar; ndërkaq njerëzit e Izraelit që ishin në pritë dolën nga vendet e tyre të fshehta në fushën e Gibeahut.

34. Dhjetë mijë burra të zgjedhur në të gjithë Izraelin u vërsulën kundër Gibeahut; Beteja qe e ashpër, por beniaminitët nuk e shihnin katastrofën që po u afrohej.

35. Kështu Zoti mundi Beniaminin para Izraelit; dhe bijtë e Izraelit vranë atë ditë njëzet e pesë mijë e njëqind burra të Beniaminit, të gjithë të zotë të përdornin shpatën.

36. Kështu bijtë e Beniaminit e kuptuan se ishin mundur. Izraelitët i kishin lëshuar terren Beniaminit, sepse kishin besim te njerëzit që kishin zënë pritë në afërsi të Gibeahut.

37. Njerëzit e pritës u hodhën menjëherë mbi Gibeahun; ata ecën përpara dhe vranë me shpatë gjithë banorët e qytetit.

38. Midis njerëzve të Izraelit dhe atyre që kishin ngritur pritën ishte caktuar një sinjal; këta të fundit duhet të bënin që të ngrihej një re e madhe tymi nga qyteti.

39. Njerëzit e Izraelit, pra, kishin kthyer krahët gjatë luftimit; dhe ata të Beniaminit kishin filluar të godisnin dhe të vrisnin rreth tridhjetë njerëz të Izraelit. Në fakt ata thoshin: "Me siguri ata janë plotësisht të mundur para nesh si në betejën e parë!".

40. Por kur sinjali i kolonës së tymit filloi të ngrihet nga qyteti, ata të Beniaminit u kthyen prapa dhe ja, tërë qyteti ishte pushtuar nga flaka që po ngrihej në qiell.

41. Atëherë njerëzit e Izraelit u kthyen dhe njerëzit e Beniaminit i zuri një frikë e madhe, duke parë gjëmën e madhe që u kishte rënë.

42. Prandaj filluan të ikin përpara njerëzve të Izraelit në drejtim të shkretëtirës, por pa arritur t'i shmangen betejës; dhe ata që dilnin nga qyteti u vërsulën në mes tyre dhe i masakruan.

Gjyqtarët 20