23. Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe qanë përpara Zotit deri në mbrëmje, dhe u konsultuan me Zotin, duke thënë: "A duhet ta vazhdoj luftën kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim?". Zoti iu përgjigj: "Suluni kundër tyre".
24. Bijtë e Izraelit u ndeshën për herë të dytë me bijtë e Beniaminit.
25. Beniaminitët dolën për herë të dytë nga Gibeahu kundër tyre dhe shtrinë për tokë tetëmbëdhjetë mijë burra të tjerë nga bijtë e Izraelit, të gjithë të aftë të përdornin shpatën.
26. Atëherë tërë bijtë e Izraelit, domethënë tërë populli, u ngjitën në Bethel dhe qanë; mbetën aty përpara Zotit dhe agjëruan atë ditë deri në mbrëmje, dhe ofruan holokauste dhe flijime falënderimi përpara Zotit.
27. Pastaj bijtë e Izraelit u konsultuan me Zotin (arka e besëlidhjes së Perëndisë ndodhej aty në atë kohë,
28. dhe Finehasi, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, shërbente në atë kohë para saj) dhe thanë: "A duhet të vazhdojë akoma të dal për të luftuar kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim, apo duhet të heq dorë nga një gjë e tillë?". Zoti u përgjigj: "Suluni, sepse nesër do t'i jap në duart tuaja".
29. Kështu Izraeli zuri një pritë rreth e rrotull Gibeahut.
30. Bijtë e Izraelit u vërsulën për të tretën herë kundër bijve të Beniaminit, dhe u rreshtuan për betejë në afërsi të Gibeahut si herët e tjera.
31. Bijtë e Beniaminit dolën kundër popullit dhe armiqtë e tyre i tërhoqën larg qytetit; dhe filluan të godasin dhe të vrasin, si herët e tjera, disa nga populli i Izraelit nëpër rrugët (nga të cilat njëra shkon në Bethel dhe tjetra në Gibeah), dhe në fshatrat; ata vranë rreth tridhjetë veta.
32. Kështu bijtë e Beniaminit thanë: "Ja ku janë, të mundur para syve tona si herën e parë!". Por bijtë e Izraelit thanë: "Të ikim dhe t'i tërheqim larg qytetit, mbi rrugët kryesore!".