18. Kështu bijtë e Izraelit lëvizën, u ngjitën në Bethel dhe konsultuan Perëndinë, duke thënë: "Kush prej nesh do të nisë i pari luftën kundër bijve të Beniaminit?". Zoti u përgjigj: "Juda do të fillojë i pari".
19. Të nesërmen në mëngjes bijtë e Izraelit u nisën dhe e ngritën kampin e tyre kundër Gibeahut.
20. Njerëzit e Izraelit dolën kështu për të luftuar kundër Beniaminit dhe u rreshtuan për betejë kundër luftëtarëve të tij pranë Gibeahut.
21. Atëherë bijtë e Beniaminit dolën nga Gibeahu dhe po atë ditë shtrinë të vdekur për tokë njëzet e dy mijë burra të Izraelit.
22. Por populli, burrat e Izraelit, morën zemër përsëri dhe u rreshtuan përsëri për betejë në po atë vend ku ishin rreshtuar ditën e parë.
23. Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe qanë përpara Zotit deri në mbrëmje, dhe u konsultuan me Zotin, duke thënë: "A duhet ta vazhdoj luftën kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim?". Zoti iu përgjigj: "Suluni kundër tyre".
24. Bijtë e Izraelit u ndeshën për herë të dytë me bijtë e Beniaminit.
25. Beniaminitët dolën për herë të dytë nga Gibeahu kundër tyre dhe shtrinë për tokë tetëmbëdhjetë mijë burra të tjerë nga bijtë e Izraelit, të gjithë të aftë të përdornin shpatën.
26. Atëherë tërë bijtë e Izraelit, domethënë tërë populli, u ngjitën në Bethel dhe qanë; mbetën aty përpara Zotit dhe agjëruan atë ditë deri në mbrëmje, dhe ofruan holokauste dhe flijime falënderimi përpara Zotit.