Gjyqtarët 20:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Atëherë tërë bijtë e Izraelit lëvizën, nga Dani deri në Beer-Sheba dhe në vendin e Galaadit, dhe asambleja u mblodh si një njeri i vetëm përpara Zotit në Mitspah.

2. Krerët e tërë popullit, e gjithë fiseve të Izraelit u paraqitën përpara asamblesë së popullit të Perëndisë; ishin katërqind mijë këmbësorë, të aftë të përdornin shpatën.

3. (Dhe bijtë e Beniaminit dëgjuan që bijtë e Izraelit ishin ngjitur në Mitspah). Atëherë bijtë e Izraelit thanë: "Na tregoni, si u krye ky krim?".

4. Atëherë leviti, burri i gruas që ishte vrarë, u përgjigj: "Unë kisha hyrë bashkë me konkubinën time në Gibeah të Beniaminit për të kaluar natën.

5. Por banorët e Gibeahut u ngritën kundër meje dhe rrethuan natën shtëpinë në të cilën ndodhesha, dhe kjo për të më vrarë; por ata dhunuan përkundrazi konkubinën time dhe ajo vdiq.

6. Kështu unë mora konkubinën time, e preva copë-copë, dhe e dërgova nëpër gjithë territorin e trashëgimisë së Izraelit, sepse këta kryen një krim dhe një poshtërsi në Izrael.

7. Dhe ja, tani tërë ju, o bij të Izraelit, jepni mendimin dhe këshillën tuaj".

8. Atëherë tërë populli u ngrit si një njeri i vetëm, duke thënë: "Asnjë prej nesh nuk do të kthehet në çadrën e tij, asnjë prej nesh nuk do të kthehet në shtëpinë e tij.

9. Dhe tani, ja se ç'do t'i bëjmë Gibeahut: do të shkojmë kundër tij duke hedhur me short,

10. dhe do të marrim nga të gjitha fiset e Izraelit dhjetë njerëz mbi njëqind, njëqind mbi një mijë dhe një mijë mbi dhjetë mijë, të cilët do të shkojnë të kërkojnë ushqime për popullin, me qëllim që duke shkuar kundër Gibeahut të Beniaminit të mund t'ia lajmë të gjitha poshtërsitë që ka kryer në Izrael".

11. Kështu tërë burrat e Izraelit u mblodhën kundër atij qyteti, të bashkuar si një njeri i vetëm.

12. Fiset e Izraelit dërguan pastaj njerëz në gjithë fisin e Beniaminit për t'i thënë: "Ç'është ky krim që është kryer ndër ju?

13. Prandaj na dorëzoni ata njerëz, ata kriminelë që janë në Gibeah, që t'i vrasim dhe të heqim të keqen nga Izraeli". Por bijtë e Beniaminit nuk pranuan të dëgjojnë zërin e vëllezërve të tyre, të bijve të Izraelit.

14. Bijtë e Beniaminit madje u mblodhën nga qytetet e tyre në Gibeah për të luftuar kundër bijve të Izraelit.

Gjyqtarët 20