12. ata braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti, dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre dhe kështu provokuan zemërimin e Zotit;
13. ata braktisën Zotin dhe u vunë në shërbim të Baalit dhe të Ashtarothit.
14. Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe e dha në dorë të kusarëve që e zhveshën; dhe ai i shiti në duart e armiqve të tyre që ndodheshin rreth e qark, të cilëve nuk qenë më në gjendje t'u bënin ballë.
15. Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte mjerime, ashtu si kishte thënë Zoti, ashtu siç u ishte betuar ai; dhe u hidhëruan shumë.
16. Pastaj Zoti nxirrte gjyqtarë, që i lironin nga duart e atyre që i zhvishnin.
17. Mjerisht ata nuk i dëgjonin as gjyqtarët e tyre, por kurvëroheshin përpara perëndive të tjera dhe binin përmbys para tyre. Ata braktisën shpejt rrugën e ndjekur nga etërit e tyre, të cilët u ishin bindur urdhrave të Zotit; por ata nuk vepruan ashtu.
18. Kur Zoti u nxirrte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i lironte nga dora e armiqve të tyre gjatë gjithë jetës së gjyqtarit; sepse Zoti prekej nga vajtimet e tyre të shkaktuara nga ata që i shtypnin dhe i mundonin.
19. Por kur gjyqtari vdiste, ata vazhdonin të korruptoheshin më shumë se etërit e tyre, duke ndjekur perëndi të tjera dhe duke rënë përmbys para tyre; dhe nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga sjellja e tyre kokëforte.
20. Prandaj mëria e Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai tha: "Duke qenë se ky komb ka shkelur besëlidhjen që unë kisha përfunduar me etërit e tyre dhe ata nuk i janë bindur zërit tim,
21. edhe unë nuk do të dëboj më para tyre asnjë prej kombeve që Jozueu la kur vdiq;
22. kështu me anë tyre do të vë në provë Izraelin për të parë në se do t'i përmbahen rrugës së Zotit dhe do të ecin në të siç bënë etërit e tyre, ose jo".