1. Por Engjëlli i Zotit u ngjit nga Gilgali në Bokim dhe tha: "Unë ju nxora nga Egjipti dhe ju çova në vendin që isha betuar t'u jepja etërve tuaj. Kisha thënë gjithashtu: "Nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju.
2. Por ju nuk do të lidhni asnjë aleancë me banorët e këtij vendi dhe do të shembni altarët e tyre". Por ju nuk iu bindët zërit tim. Pse e bëtë këtë?
3. Kështu unë po ju them tani: Unë nuk do t'i dëboj para jush; por ata do të jenë si gjemba në ijët tuaja, dhe perënditë e tyre do të jenë për ju si një lak".
4. Sapo Engjëlli i Zotit mbaroi së thëni këto fjalë tërë bijve të Izraelit, populli ngriti zërin dhe filloi të qajë.
5. Prandaj ky vend u quajt Bokim dhe u bënë flijime për Zotin.
6. Jozueu i dha urdhër popullit të largohet dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në trashëgiminë e tij për të marrë në zotërim vendin.
7. Populli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut, dhe që kishin parë të gjitha veprat e mëdha që Zoti kishte bërë për Izraelin.
8. Pastaj Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,
9. dhe e varrosën në territorin e trashëgimisë së tij në Timath-Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.
10. Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin.