5. Ditën e katërt u ngritën herët në mëngjes dhe leviti po bëhej gati të nisej, por i ati i vajzës së re i tha dhëndrit të tij: "Ha diçka që të mbahesh, pastaj shkoni".
6. Kështu u ulën bashkë, hëngrën dhe pinë njeri afër tjetrit. Pastaj i ati së resë i tha burrit të saj: "Të lutem, prano ta kalosh natën këtu, dhe zemra jote të gëzohet".
7. Ai u ngrit për të ikur, por i vjehrri nguli këmbë aq shumë sa që ai vendosi ta kalojë natën aty.
8. Ditën e pestë ai u ngrit herët në mëngjes që të ikte; dhe i ati i së resë i tha: "Të lutem, ngrohe zemrën". Kështu u ndalën deri në pasdite dhe që të dy hëngrën.
9. Kur ai njeri u ngrit për të ikur bashkë me konkubinën e tij dhe shërbëtorin e tij, i vjehrri, i ati i së resë, i tha: "Ja, ka filluar të erret; të lutem kaloje natën këtu; shiko, dita është duke mbaruar; kaloje këtu natën dhe zemra jote të gëzohet; nesër do të niseni herët dhe do të arrini në shtëpi".
10. Por ai njeri nuk deshi ta kalojë natën aty; kështu u ngrit, u nis dhe arriti përballë Jebusit, që është Jeruzalemi, me dy gomarët e tij të shaluar dhe me konkubinën e tij.
11. Kur arritën pranë Jebusit, dita kishte kaluar tërësisht; shërbëtori i tha zotit të tij: "Eja, të lutem, të hyjmë në këtë qytet të jebusenjve dhe ta kalojmë natën aty".
12. I zoti iu përgjigj: "Jo, nuk do të hyjmë në një qytet të huajsh që nuk janë bij të Izraelit, por do të shkojmë deri në Gibeah".