Gjyqtarët 19:15-28 Bibla Shqip (ALBB)

15. Aty u kthyen për të hyrë dhe për të kaluar natën në Gibeah. Kështu leviti hyri dhe u ndal në sheshin e qytetit; por askush nuk i priti për të kaluar natën në shtëpinë e tij.

16. Pikërisht në atë kohë një plak po kthehej në mbrëmje nga puna e tij në ara; ai ishte nga krahina malore e Efraimit dhe banonte si i huaj në Gibeah, por njerëzit e vendit ishin beniaminitë.

17. Me të ngritur sytë, pa kalimtarin në sheshin e qytetit. Plaku i tha: "Ku po shkon dhe nga po vjen?".

18. Leviti iu përgjigj: "Po shkojmë nga Betlemi i Judës në drejtim të pjesës më të largët të krahinës malore të Efraimit. Unë jam që andej dhe kisha vajtur në Betlem të Judës; tani po shkoj në shtëpinë e Zotit, por nuk ka njeri që të më presë në shtëpinë e tij.

19. Megjithatë ne kemi kashtë dhe bar për gomarët tanë dhe bukë e verë për mua, për shërbëtoren tënde dhe për djalin që është bashkë me shërbëtorin tënd; nuk na mungon asgjë".

20. Plaku i tha: "Paqja qoftë me ty! Megjithatë më lejo të kujdesem për çdo nevojë që ke; por ti nuk duhet ta kalosh natën në shesh".

21. Kështu e çoi në shtëpinë e tij dhe u dha ushqim gomarëve; udhëtarët lanë këmbët, pastaj hëngrën dhe pinë.

22. Ndërsa po kënaqeshin, disa njerëz të qyteti, njerëz të këqij rrethuan shtëpinë i ranë portës dhe i thanë të zotit plak të shtëpisë: "Nxirre jashtë atë njeri që ka hyrë në shtëpinë tënde, sepse duam ta njohim!".

23. Por i zoti i shtëpisë me të dalë jashtë, u tha atyre: "Jo, vëllezërit e mi, mos u sillni në mënyrë kaq të keqe; ky njeri erdhi në shtëpinë time, prandaj mos kryeni një poshtërsi të tillë!.

24. Ja ku janë këtu vajza ime e virgjër dhe konkubina e këtij njeriu; unë do t'i nxjerr jashtë, poshtërojini dhe bëni atë që mendoni; por mos kryeni kundër këtij njeriu një turp të tillë!".

25. Por ata njerëz nuk e dëgjuan. Atëherë ai burrë mori konkubinën e tij dhe ua nxori atyre; ata e njohën dhe e përdorën tërë natën deri në mëngjes; e lanë të ikë vetëm kur filloi të zbardhë dita.

26. Ndaj të gdhirë kjo grua erdhi e u rrëzua para portës së shtëpisë të njeriut pranë të cilit rrinte burri i saj dhe mbeti aty derisa u bë ditë.

27. Në mëngjes burri i saj u ngrit, hapi portën e shtëpisë dhe doli për të vazhduar udhëtimin e tij; dhe ja, konkubina e tij rrinte shtrirë te porta e shtëpisë me duart në pragun e saj.

28. Ai i tha: "Çohu dhe eja të shkojmë!". Por nuk mori asnjë përgjigje. Atëherë burri e ngarkoi mbi gomarin dhe u nisën për t'u kthyer në shtëpinë e vet.

Gjyqtarët 19