14. Kështu shkuan tutje dhe e vazhduan udhëtimin; dhe dielli perëndoi mbi ta pranë Gibeahut, që është pronë e Beniaminit.
15. Aty u kthyen për të hyrë dhe për të kaluar natën në Gibeah. Kështu leviti hyri dhe u ndal në sheshin e qytetit; por askush nuk i priti për të kaluar natën në shtëpinë e tij.
16. Pikërisht në atë kohë një plak po kthehej në mbrëmje nga puna e tij në ara; ai ishte nga krahina malore e Efraimit dhe banonte si i huaj në Gibeah, por njerëzit e vendit ishin beniaminitë.
17. Me të ngritur sytë, pa kalimtarin në sheshin e qytetit. Plaku i tha: "Ku po shkon dhe nga po vjen?".
18. Leviti iu përgjigj: "Po shkojmë nga Betlemi i Judës në drejtim të pjesës më të largët të krahinës malore të Efraimit. Unë jam që andej dhe kisha vajtur në Betlem të Judës; tani po shkoj në shtëpinë e Zotit, por nuk ka njeri që të më presë në shtëpinë e tij.
19. Megjithatë ne kemi kashtë dhe bar për gomarët tanë dhe bukë e verë për mua, për shërbëtoren tënde dhe për djalin që është bashkë me shërbëtorin tënd; nuk na mungon asgjë".
20. Plaku i tha: "Paqja qoftë me ty! Megjithatë më lejo të kujdesem për çdo nevojë që ke; por ti nuk duhet ta kalosh natën në shesh".
21. Kështu e çoi në shtëpinë e tij dhe u dha ushqim gomarëve; udhëtarët lanë këmbët, pastaj hëngrën dhe pinë.
22. Ndërsa po kënaqeshin, disa njerëz të qyteti, njerëz të këqij rrethuan shtëpinë i ranë portës dhe i thanë të zotit plak të shtëpisë: "Nxirre jashtë atë njeri që ka hyrë në shtëpinë tënde, sepse duam ta njohim!".