Gjyqtarët 16:20-31 Bibla Shqip (ALBB)

20. Atëherë ajo i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Ai u zgjua nga gjumi dhe tha: "Unë do t'ia dal si herët e tjera, do të shpengohem". Por nuk e dinte që Zoti e kishte braktisur.

21. Dhe filistenjtë e zunë dhe i nxorën sytë; e zbritën në Gaza dhe e lidhën me zinxhirë prej bronzi. Dhe e vunë të rrotullojë mokrën në burg.

22. Ndërkaq flokët e kokës, mbasi u rruan, filluan përsëri të rriten.

23. Princat e filistenjve u mblodhën për t'i paraqitur një flijim të madh Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për t'u gëzuar. Ata thoshin: "Perëndia ynë na ka dhënë në dorë Sansonin, armikun tonë".

24. Kur populli e pa, filloi të lavdërojë perëndinë e vet dhe të thotë: "Perëndia ynë na dha në dorë armikun tonë, atë që shkatërronte vendin tonë dhe që ka vrarë aq shumë njerëz tanë".

25. Kështu në gëzimin e zemrës së tyre, ata thanë: "Silleni Sansonin që të dëfrehemi me të!". E nxorën Sansonin nga burgu dhe ai bëri karagjozllëqe para tyre. Pastaj e vunë midis shtyllave.

26. Atëherë Sansoni i tha fëmijës, që e mbante prej dore: "Lërmë të prek shtyllat mbi të cilat qëndron shtëpia,

27. që të mund të mbështetem në to". Shtëpia ishte pot me burra dhe gra; aty ndodheshin tërë princat e filistenjve, dhe mbi çati tre mijë veta, burra e gra, që shikonin Sansonin ndërsa ky bënte palaçon.

28. Atëherë Sansoni kërkoi ndihmën e Zotit dhe tha: "O Zot, o Zot, të lutem mos më harro! Më jep forcën e nevojshme për këtë herë vetëm, o Perëndi që të hakmerrem me filistenjtë me një goditje të vetme, për shkak të humbjes së dy syve të mi".

29. Pastaj Sansoni kapi dy shtyllat qendrore, që mbanin tempullin, dhe u mbështet tek ato, tek njëra me dorën e djathtë dhe tek tjetra me dorën e majtë;

30. pastaj Sansoni tha: "Le të vdes bashkë me filistenjtë!". U përkul pastaj me të gjithë forcën e tij, dhe shtëpia u shemb mbi princat dhe mbi gjithë popullin që ndodhej brenda; dhe qenë më shumë ata që ai vrau duke vdekur se ata që kishte vrarë kur qe gjallë.

31. Pastaj vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij zbritën dhe e morën; dhe e çuan ta varrosin midis Tsorahut dhe Eshtaolit, në varrin e Manoahut, të atit të tij. Ai qe gjyqtar i Izraelit njëzet vjet me radhë.

Gjyqtarët 16