Gjyqtarët 16:19-29 Bibla Shqip (ALBB)

19. Pastaj ajo e vuri në gjumë mbi gjunjët e saj, thirri një njeri që i rroi të shtatë gërshetat të kokës së Sansonit; pastaj filloi ta trajtoj keq, dhe fuqia e tij e la.

20. Atëherë ajo i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Ai u zgjua nga gjumi dhe tha: "Unë do t'ia dal si herët e tjera, do të shpengohem". Por nuk e dinte që Zoti e kishte braktisur.

21. Dhe filistenjtë e zunë dhe i nxorën sytë; e zbritën në Gaza dhe e lidhën me zinxhirë prej bronzi. Dhe e vunë të rrotullojë mokrën në burg.

22. Ndërkaq flokët e kokës, mbasi u rruan, filluan përsëri të rriten.

23. Princat e filistenjve u mblodhën për t'i paraqitur një flijim të madh Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për t'u gëzuar. Ata thoshin: "Perëndia ynë na ka dhënë në dorë Sansonin, armikun tonë".

24. Kur populli e pa, filloi të lavdërojë perëndinë e vet dhe të thotë: "Perëndia ynë na dha në dorë armikun tonë, atë që shkatërronte vendin tonë dhe që ka vrarë aq shumë njerëz tanë".

25. Kështu në gëzimin e zemrës së tyre, ata thanë: "Silleni Sansonin që të dëfrehemi me të!". E nxorën Sansonin nga burgu dhe ai bëri karagjozllëqe para tyre. Pastaj e vunë midis shtyllave.

26. Atëherë Sansoni i tha fëmijës, që e mbante prej dore: "Lërmë të prek shtyllat mbi të cilat qëndron shtëpia,

27. që të mund të mbështetem në to". Shtëpia ishte pot me burra dhe gra; aty ndodheshin tërë princat e filistenjve, dhe mbi çati tre mijë veta, burra e gra, që shikonin Sansonin ndërsa ky bënte palaçon.

28. Atëherë Sansoni kërkoi ndihmën e Zotit dhe tha: "O Zot, o Zot, të lutem mos më harro! Më jep forcën e nevojshme për këtë herë vetëm, o Perëndi që të hakmerrem me filistenjtë me një goditje të vetme, për shkak të humbjes së dy syve të mi".

29. Pastaj Sansoni kapi dy shtyllat qendrore, që mbanin tempullin, dhe u mbështet tek ato, tek njëra me dorën e djathtë dhe tek tjetra me dorën e majtë;

Gjyqtarët 16